Një “botë e re” në një realitet “të panjohur”



Dr. Vehip Proda

Sapo mbarova së lexuari, me një frymë, romanin “Ëngjëjt e tepërt” (2001, 2009) të shkrimtarit, hulumtuesit dhe intelektualit të shquar Ardian-Christian Kyçyku.
E pohoj që në fillim: e gjeta veten në një dimension tjetër kohor, gjeografik, psikik.
Unë jam lexues, kur është fjala për letërsinë, ndonëse studiues i çështjes kombëtare, sociale dhe politike. Si lexues, të them se kam kaluar pak libra nëpër duar, do gënjeja, por të them se vetëm tani sapo kam lexuar një letërsi të re për nga konstrukti, ndërthurrja, tema, mënyra e të treguarit, ambienti veprues-përshkrues; nga këndvështrimi, gjykimi dhe përqasja; nga gjuha e “fabulës”, nuk do të gënjeja aspak. Kjo më ndodhi bash tani që m’u “faneps” produkti alla Kyçyk!
Një ndjesi e brendshme apokaliptike, një trazim shpirtëror, një marramendje dhe bredhje në një mjedis krejt “të paparë, të panjohur, të pangrënë e të panxënë”.

Një batërdi dhe një llokoçitje jete plot erë të trazuar dhe të rëndë erërash nga jeta e “rrugëve të jetës”, ku në pyetje është një gjë a shumë gjëra: të jesh a të mos jesh, të rrosh a të mos rrosh, nëse je-pse je, nëse s’je-e çë pastaj që s’je?!
Një teatër absurd, që të vorbullon shpirtin e zorrët, një “perversitet” “madhështor” me një personazh kryesor e të tjerë episodikë, në vend të të cilëve mund të vendosje dhjetra, qindra, mijëra, miliona të tjerë, me emër a pa emër, në teatrin surealist të ekzistencës njerëzore.
Një pejzazh grotesk i fatkeqësisë, ku njeriu duket se është në mëshirën e fatit të jetës, para një erozioni, gërryerje dhe ozonit shoqëror të çarë.
Një rrokopujë tragjikomike, pjellë e hardallosjes në emër të “Eldorados”, e cila, sa hap e mbyll sytë, kthehet nga ëmdërr në zhgjëndërr të handakosur si “shpërblim” i naivitetit “foshnjor” i shfaqur si marrëzi kolektive.
Një “nënluks” dhe nënvendosje e ardhur nga vullneti i “llumit”, në “botën e re” të dalldisur nga luksi i kushedingaardhur, pse jo: nga jashtëqitja e djeshme - mbimarrje e sotme si pasojë e “qorrogllusë” dhe e “vullnetit të mirë” të një naiviteti të çmendshëm, me hir a me pahir.
Ngjarja zhvillohet në një vend të caktuar, por hiq emrat e përveçëm dhe në vend të tij mund të vije emrin e cilitdo vendi tjetër, por vetëm në Ballkan, asnjë metër përtej kufijve të tij gjeostrategjikë, gjeopolitikë, gjeoekonomikë, gjeofizikë, gjeopsikikë. Jo se s’ka “kampionë” të tillë jashtë Ballkanit, por sepse Ballkani është “projekt pilot” pa të dytë...
Në epiqendër të gjithë kësaj “fabule” është një shqiptar, “Ai”, me shpirt e jetë “bohemi”…
Dëftimi grotesk i ngjarjes(-jeve), zhargoni herë-herë “rrugaçëror” brenda një gjuhe të kulluar, ka një shtresëzim a mbivendosje që përngjan me mbivendosjen e pronave, të krimeve, të perversiteteve e pushteteve dhe me nënvendosjen e jetës. Njerëzia kthehet në botën e jermit.Do të duhet kohë, shumë kohë, që fjala e njerëzisë, ashtu si jeta, të ketë pak vlerë.
Nejse! “Ai” kishte ikur nga sytë këmbët! Prej hardallosjes, hallakatjes, hakërrosjes a hakmarrjes, gjykojeni vetë. Pse, qysh, si e tek - s’ka më rëndësi. Rëndësi ka ta njihni, sepse që të kesh duhet të dish; që të dish duhet të mësosh, që të mësosh duhet të jetosh e të lexosh…, të lexosh, pse jo, medoemos “Ëngjëjt e tepërt” dhe gjithë krijimet e tjera të Ardianit.
Pa ego, pa ide, pa ideal, “Ai” donte të ikte përsëri. Të ikte sa më parë, kësaj here nga kjo botë, për “kushedi” ku. Mendja i qe mbushur top, atje, larg mëmëdheut, për një vetëflijim (vetëflijosje), që dukej si ëndërr - më shumë zhgjëndërr . Boshllëk në qiell, boshllëk në tokë, kudo: si atje ku i ra koka, ashtu edhe atje ku lind e ku perëndon. Gripi i hardallosjes qënka më i keq se gripi i verdhë, se gripi i pulave dhe i derrave! Domethënë është krizë! Krizë urie, krizë besimi, krizë shpirtërore, krizë ekonomike…”O lumë e det e Virua!”
Diku digjet toka, diku shkrihet akulli, diku hakërrehet cunami, tjetërkund shpërthen llava; këtej rrëshqet toka, andej sulet raketa, gjithkund rrëmben vdekja, jo nga Zoti, por nga “boti”! E njëta gjë që ndodh në natyrë, e njëjta gjë ndodh në shoqëri e në shpirt. (“Moj koka e qënit, moj qëne, qëne që s’dijte për veten tënde!”).
Doemos, vjen vetërrënqethja, vetërrënimi, vetasgjësimi-kamikazi, harakiri natyror dhe njerëzor. “Ai” e ka thënë qartë: “ia vlen të vetëhedhësh trutë në erë!” Kjo, ngaqë “Ai” “kishte zbuluar një jetë tjetër”. “Bukur, shumë bukur”! Mbase kjo është “filozofia” e kamikazit. Varfëria e jetës sjell varfërinë e trupit, varfërinë e shpirtit! Zbrazëti, humnerë dhe arratisje së gjalli, e shpirtit dhe më pas e trupit.
O Zot, sa pak e paskam njohur botën e psherëtimave, të ngulçeve, të rënkimeve, të llokoçitjeve, të ëndrrave dhe të zhgjëndrrave! Çudi: këtu jemi e asgjë s’dimë! S’dimë asgjë nga ato që ndodhin në këtë “Gropë”, siç e ka pagëzuar “Ai” Ballkanin tonë. Një gropë që ha së pari jetë…!
Ardian-Christian Kyçyku bën një “perifrazim” të jetës ashtu, shkarazi në dukje, por një autopsi, në fakt, të së përditshmes njëzetekatërorëshe, të asaj poshtë, te “lumpeni”, se “lart” s’të lënë gromësimat dhe shtërzimet! Lart e poshtë - poshtë e lart, kështu është jeta. “Në ato maja rripa-rripa, herë ma h... - herë ta h…”! Prandaj, nuk thonë kot librat e shënjtë: “Mos u gëzo i gëzuar, mos u hidhëro i hidhëruar”.
Po e lë këtu, për të mos e mbyllur kurrsesi kapitullin… Se ”e lëshon, por s’të lëshon”, thotë populli.
Ah, ç’më kape në këtë “moshë” o Ardian-Christian Kyçyku! Ta dish mirë: edhe në këtë “moshë” do të të ndjek, do të të lexoj , gjithnjë me një frymë …!
“Profesionalizmi lënka gjurmë në jetën e njeriut”…
Tiranë, maj 2010