Showing posts with label Spiritualitate Albaneză și Românească. Show all posts
Showing posts with label Spiritualitate Albaneză și Românească. Show all posts
Sërish një beatifikim edhe për botën shqiptare
Akad. Kopi Kyçyku,
President i Shoqërisë Kulturore Shqiptare
Haemus,
Kavalier i Shën Silvestrit Papë
![]() |
| Në Muzeun Memoriali i Dhimbjes, (Memorialul Durerii) Sighet, Rumani |
Ftesa historike
dhe pjesëmarrja e kreut të Kishës Ortodokse, Patriarkut Bartolomeu, në
ceremoninë e fronëzimit në Vatikan të Papës Françesk I, nuk vonoi të pasohej
nga një ngjarje tjetër, gjithaq e rëndësishme: nënshkrim i dekretit për
beatifikimin Monsinjorit Vladimir Gjika, mistik i shquar, filozof i fesë, i
martirizuar në burgjet komuniste të Rumanisë më 16 maj 1954.
Një ndër
detyrat thelbësore, që i caktoi vetes qysh në ditën e themelimit të saj,
Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus, me seli qendrore në Bukuresht, ishte dhe
mbetet qëmtimi, hulumtimi, vlerësimi dhe popullarizimi i personaliteteve të
shquara me prejardhje shqiptare, në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore.
Një nga këto
figura është Monsinjori Vladimir Gjika, pinjoll i një familjeje famëmadhe, nga
gjiri i së cilës kanë dalë personalitete të shquara, ndër të cilët sundimtari
Grigor Gjika, diplomati dhe ish-kryeministri Ion Gjika (1816-1897),
intelektualja e përmasave evropiane Elena Gjika (1828-1888), alias Dora
D’Istria, princi Albert Gjika (1868-1925), drejtues i një kongresi
mbarëshqiptar dhe nismëtar qysh më 1905 i një projekti për shqyrtimin e
mundësive të shpalljes së pavarësisë së Shqipërinë, etj.
Pas një pune të
gjatë këmbëngulëse dhe sistematike, doktori i shkencave Ardian-Christian Kyçyku
përgatiti një numur të madh materialesh, një pjesë e të cilave nisi të botohej
qysh nga janari i vitit 2007 në organe të ndryshme shtypi në Rumani, Shqipëri ,
Kosovë e Mërgatë, dhe u paraqit në simpoziume shkencore në Evropën Perëndimore,
si, fjala vjen, në Tubimin Ndërkombëtar „Evropa. Ëndrra dhe trauma”, mbajtur në
Kështjellën Seggau, pranë qytetit Leibniz (Austri), më 24-26 maj 2007, me
pjesëmarrjen e një numuri të madh personalitetesh të shkencës e të politikës
botërore, mes të cilëve Presidenti i atëhershëm i Parlamentit Evropian,
Hans-Gert Poettering, Komisarja Evropiane Benita Ferrero-Waldner, Peshkopët
Josef Homeyer dhe Egon Kapellari, mendimtari Jeremy Rifkin, tre nga rektorët e
Universitetit të Graz-it etj.
”Gabimet në politikë janë krime...” (Intervistë e Akademikut Kopi Kyçyku dhënë Gazetës Mokra)
Kam përballë akademikun pogradecar, mikun e dijes, Kavalierin e Urdhërit të Shën Silvestrit, profesor doktor Kopi Kyçykun, një mesoburrë, me ballë të gjerë sokratik, me vështrim serioz, me pamje tipike intelektuale. Këtë e thonë edhe sytë e tij, lëvizjet energjike të duarve dhe mënyra e prerë e të folurit, përqendrimi i krejt qenies së tij.
Akademiku Kopi Kyçyku, si enciklopedist që kërkon të dijë gjjithçka, është kthyer në krenari, jo vetëm për vete, por krenari edhe për të tjerët. Me një veprimtari të gjerë dhe të thellë shkencore, ai nuk jeton vetëm për vete, por për njerëzimin. Akademiku Kopi Kyçyku është futur thellë në labirintin e dijeve nëpër viset e Ballkanit, Evropës dhe botës. Kur e pyetën Aleksandrin e Madh të Maqedonisë: “Përse depërtove aq larg, deri në Indi?”, ai u përgjigj: “Na thonë se qenkemi indoevropianë. Deri sa është kështu, atëhere kufijtë e Evropës mbarojnë në Indi”.
Edhe miku i dijes, akademiku Kopi Kyçyku, mbasi mbaroi një varg studimesh shkencore në shumë vende të Evropës, si: Rumani, Greqi, Kroaci, Bullgari, Maqedoni, Zvicër, Francë, Gjermani etj, shkoi për të hulumtuar në Turqi, në Indi e gjetkë.
Mendja e ndritur, sjellja tepër njerëzore, vlerat morale dhe intelekti, e ngritën në një pjedestal të lartë. Ai i ngjiti shkallët e lavdisë duke punuar si gjeolog, publicist, pushtetar vendor, deputet, shkrimtar, përkthyes, historian, mësimdhënës etj; kaloi gradat shkencore, që nga kandidat i shkencave, doktor, profesor dhe akademik.
Duke u nisur nga sa më sipër, mendova t’i marr një intervistë akademikut të mirënjohur, profesor doktor Kopi Kyçykut.
Gazetari Llazi Tona: Vendlindja juaj është Pogradeci, ku ju përfunduat shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare. Cilat janë mbresat tuaja për to dhe për mësimdhënësit përkatës?
Akad. Kopi Kyçyku: Edukatorë që fati e solli t’i njoh qysh në moshën më të brishtë, si Viktori Pihoni, e më pas Tushi Pasko, Dhimitër Tola, Spiro Angjele e të tjerë, ndikuan në formimin dhe ngulitjen tek unë, jo vetëm të njohurive të qëndrueshme në lëndë të ndryshme, por edhe të dashurisë e të krenarisë për vendlindjen e për vlerat e mirënjohura të kombit tonë.
“Skulptor gjer edhe për të verbërit” / ”Sculptor până și pentru orbi”

- kjo ishte njëra nga shumë fjalitë befasuese që vigani i skulpturës moderne, - shpesh i quajtur edhe atë i saj, - Constantin Brâncuși (Konstantin Brënkush) e pat lënë të shkruar në një fletore të thjeshtë, mes shumë mendimeve per artin, artistin dhe jetën e vet. Lindur më 1876 në fshatin Hobița të Rumanisë, Brâncuși mësoi në qytetin Târgu-Jiu dhe në Bukuresht, nga ku do të largohej, - më këmbë! - drejt Parisit, në shenjë hakmarrjeje ndaj ngutjes së njërës prej jurive të kohës. Është tashmë proverbiale rrëfenja e tij në lidhje me lavdinë: tek çapitej drejt Parisit, i kredhur në ëndrra për lavdi të përbotshme, gati përplaset me një lopë që pikërisht në atë çast po urinonte. “Ja, pra, edhe lavdia, tha: një shurrë lope!”.
Pas vitesh pune rraskapitëse dhe moskuptimesh që jo rrallë mbrehen pas veprës tejet origjinale të një gjeniu, Brâncuși merr trajtën e një patriarku artesh, princ-fshatar, siç e quajtën, hap disa ekspozita në Francë, Amerikë, Indi, dhe mban lidhje me shumë personalitete të kohës. Deviza e tij ishte: Krijo si Zot / Urdhëro si mbret / Puno si skllav! Për veprën e Brâncuși-t shkruan me përkushtim Ezra Pound, Eugen Ionesco, Mircea Eliade, Ionel Jianu, Carola-Gedion Welch-er, Bulent Eçevit dhe shumë të tjerë.
Disa prej këtyre veprave, si Zonjusha Pogany, Kolona e Pafundme, Tryeza e Heshtjes, Porta e Puthjes, Zogu në Hapësirë, Puthja, Veza, Leda, Mrekullia kanë hyrë në thesarin e simboleve universale dhe shpesh krijojnë përshtypjen se janë skulpturat e para të këtij planeti. Constantin Brâncuși ndërroi jetë në Paris , pa u kthyer më në vendlindje, në vitin 1957. Atelieja e tij në Rrugën ‘Impasse Ronsin’ të Parisit është shndërruar në vend pelegrinazhi. Po japim për lexuesit disa pjesë nga ‘ditari krijues’ i Brâncuși-t, në këtë vit të parë të mijëvjeçarit*, të cilin UNESCO dhe kultura rumune, me mjaft frymëzim, e quajtën Viti Brâncuși:
E bukura është baraspesha absolute.
Kur s’jemi më fëmijë, jemi tashmë të vdekur.
Gjërat nuk është aq vështirë t’i bësh; vështirë është të vihesh në gjendjen për t’i bërë.
Thjeshtësia nuk është një qëllim në art, mirpo ti arrin në thjeshtësi pa vullnetin tënd, duke iu afruar kuptimit real të gjërave. Thjeshtësia është në vetvete një ndërlikim – dhe duhet të ushqehesh me thelbin, që të mund t’i kuptosh vlerën.
Mos harro asnjëherë që je artist. Mos e humb kurajon; dhe mos u tremb nga asgjë; se do t’ia arrish qëllimit.
Në art nuk duhet të ekzistojnë të huaj.
Materialet nuk duhen shtrënguar të flasin në gjuhën tonë… por duhet t’i sjellim gjer në pikën ku të tjerët do të kuptojnë gjuhën e tyre.
Në skulpturën time kam mbyllur zbrazëtitë që krijojnë… hijet.
Vështrojini punimet e mia derisa t’i shihni! Ata që janë pranë Zotit i kanë parë.
Çfarë lidh ti këtu në tokë – lidhet edhe në qiell.
Do të doja të krijoja ashtu siç marr frymë.
Skulpturat e mia janë gjer edhe për të verbërit.
Arti duhet të jetë e çliruar nga sentimentalizmi – si edhe nga narkotiku fetar.
Ekziston një qëllim në të gjitha gjërat – mirpo për të arritur atje duhet të shkëputemi nga uni.
Artisti modern nuk është një kafshë luksi, por një kafshë e vuajtur. Arti i tij kryhet vetëm në vuajtje dhe dramatizëm, si një krim…
Me këtë formë (Veza ose Fillimi i Botës) unë mund të lëviz Universin.
Çfarë e përcakton, vallë, qytetërimin tonë? – Shpejtësia! Njerëzit pushtojnë kohën dhe hapësirën duke shpejtuar parreshtur mjetet me të cilat mund t’i përshkojnë. Shpejtësia nuk është veçse masa e kohës që të nevojitet për të përshkuar një distancë… Dhe nganjëherë është fjala për distancën që na ndan nga vdekja… Vepra e artit duhet të shprehë pikërisht çka nuk i nënshtrohet vdekjes. Por duhet ta bëjë në mënyrë të atillë, që kjo shprehje të jetë një dëshmi për epokën kur ka jetuar artisti.
Subscribe to:
Posts (Atom)

