Profesor doktori në
kardiologji, Korneliu D. Zeana, u
lind më 11 prill 1939, në qytetin rumun Rëmniku-Vëlçea. U detyrua të ishte
punëtor i thjeshtë në Hekurudhë, fill pasi e përjashtuan nga shkolla për shkak
të arrestimit të të atit, mjek e profesor në Universitetin e Kluzh-Napokës. Në
këtë qytet, pas shumë pengesash e peripecish të natyrës politike, edhe Korneliu
D. Zeana vazhdoi dhe përfundoi me Diplomë të Merituar Fakultetin e Mjekësisë, më
1961. Rezultatet e shkëlqyera në mësime i dhanë të drejtën të zgjidhte vendin e
punës. Mjeku i ri kërkoi diçka që hynte në kategorinë e punëve “tepër të vështira”. Themeloi ambulancën
dhe shtëpinë e lindjes në komunën Mujereaska të rrethit Vëlçea dhe, pasë pesë
vjetësh ushtrimi të profesionit në fshat, u caktua preparator në Fakultetin e
Mjekësisë “Karol Davila” të Bukureshtit. Në periudhën 1967-1989 ishte docent
pranë katedrës së Mjekësisë së Brendshme dhe të Kardiologjisë.
Korneliu D. Zeana
është anștar nderi i Akademisë së Mjekësisë të Rumanisë dhe i Komitetit
Drejtues të Shoqatës së Mjekëve Shkrimtarë dhe Publicistë Rumunë (SMSPR), degë
e Bashkimit Botëror të Shkrimtarëve Mjekë (UMEM).
Ka botuar poezi, ese
dhe proza të shkurtra në organet “Dacia
Literara”, “Literatorul”, “Romania Libera”, “Adevarul”, “Contemporanul”
etj, është përfshirë si autor në antologji epigramesh dhe në Fonotekën e Artë
të Radiopërhapjes Rumune. Është drejtor themelues i revistës “Cugetarea europeană” (Mendimi evropian),
që merret kryesisht me filozofinë politike të Bashkimit Evropian; president
themelues i Seksionit Rumun të Lëvizjes Evropiane dhe i Shoqatës Evropiane të
Kuadrove Mësimdhënëse, seksioni Rumania. Këto shoqata, me seli qëndrore në
Bruksel dhe të përfaqësuara në Parlamentin Evropian, promovojnë frymën
evropiane në Rumani, por edhe imazhin e saj në Kontinentin Plak.
Në lëmin e shkencës
ka dy patenta për shpikje, dy shpikje të papatentuara, por të zbatuara; është autor
i dhjetë traktateve të specialitetit, i mbi pesëqind punimeve të kumtuara dhe
të botuara në Rumani e jashtë saj; është anëtar i komitetit të redaksisë së
revistës londineze “Magnesium Research”,
e vetmja që trajton rolin e magnezit në biologji. Është anëtar nderi i Kryqit
të Kuq të Rumanisë dhe i Radiopërhapjes. Është autor i romanit “Tre shekuj pas Mileskut” (2002), i
vëllimit “Shëndet e sjellje” (1998)
vlerësuar me Çmimin e Fondit Letrar, dhe i vëllimit poetik “Kur të bjerë një yll” (2016).
F r a g m e n t
"Manueli nuk e pat njohur të atin. Ndarja e prindërve të tij pat ndodhur, me sa duket, para se të lindej, ose fare pak kohë para se ai të vinte në jetë. Nuk dinte asgjë për t’anë, nuk i patën rrëfyer asgjë, kjo çështje ishte si diçka e paprekshme dhe puna arriti deri aty sa ta shpërfillte krejt. Po të kish qenë vajzë, ndoshta gjërat do të rridhnin ndryshe, ngaqë vajzat janë më të lidhura me prindërit. Me sa dukej, i ati, që e kish emrin Sterjo, me zanafillë arumun, qe arrestuar në vitet e turbullt të Pasluftës dhe pat vdekur në një burg të dënuarish politikë, pastaj, mbase, e ëma ishte detyruar ta ndante, ta mohonte, të shkëpuste çdo lidhje me të, ashtu siç bënin të gjithë, që t’u shpëtonin përndjekjeve, madje përpiqeshin ta harronin, përfshi edhe krushqit, që nuk e kishin gjak. Gjithsesi, kjo ishte një temë e mbyllur. Manueli nuk kishte vëllezër e motra, madje as kushërinj. E ëma, inxhiniere për ndërtim urash, me arritje profesionale të pakundërshtueshme, e dhënë me mish e me shpirt, e gllabëruar, mund të thoshim, nga profesioni i saj, ua pat besuar fëmijën çerdheve të ndryshme e, më pas, kopshteve, më shumë të sajuara se sa të mirëorganizuara në kantieret e mëdhenj të hidrocentraleve në ndërtim e sipër. Ishte e bindur se regjimi i ri, komunizmi, që po përvijohej, do t’u sillte njerëzve të gjitha të mirat e mundshme, çka përbënte një arsye më shumë që t’i përkushtohej e tëra ndërtimit të hidrocentraleve, që do të siguronin energjinë aq të nevojshme. Në mbrëmje verifikonte planshetat, vizatimi teknik e pat bërë për vete gjithmonë se planet paraqitnin të vërtetën; kridhej në shifra, ribënte përllogaritjet, gjithçka me një farë tendosjeje, dy rrudha pingule i ishin shfaqur para kohe mes vetullave, çlodhja vinte përherë e vonuar. E dinte mirë çfarë do të bënte të nesërmen, diga e lartonte siluetën e harkuar, plot hijeshi, një vepër e vërtetë inxhinierike me të cilën ndjehej tejet e lidhur dhe, sigurisht, krenare".

Manuel
Roman
Shqipëroi nga
rumanishtja: Kopi Kyçyku
Titulli origjinal:
Corneliu D. Zeană, Manuel
Shtëpia Botuese EMAL
Ballina KÜdesign
Tiranë, 2016