Viktor Bakillari
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
Universiteti i Tiranës
Nga 28.11-2.12.2015,
në Rumani (vend i begatë me popull punëtor, mikpritës dhe ndërtimtar, vend ku
mbas punëve të mëdha këndohet, vallëzohet, pihet raki ballë kazani dhe / ose
verë e cilësisë së lartë) u zhvillua Kongresi i 19-të i Botës
Shpirtërore Rumune (“CONGRESUL SPIRITUALITĂŢII ROMĂNEŞTI, Ediţia a XIX-a”).
Përfaqësues nga
bashkësitë rumune anembanë botës, por jo vetëm, mblidhen çdo vit në qytetet
Alba Iulia dhe Zlatna, vende këto që shtrihen në pjesën qendrore, në zemër të
Rumanisë, rreth 350 km. larg Bukureshtit të bukur.
Në këtë Kongres,
i cili zhvillohet çdo vit, pati edhe përfaqësues nga vendi ynë.
Qëllimi i këtij
kongresi të përvitshëm, i krijuar e i thirrur nga Lidhja kulturore për
bashkimin e rumunëve kudo që janë në botë, është që të kontribuojë për njohjen
dhe forcimin e lidhjeve mes rumunëve të shpërndarë në të katër anët e globit si
dhe mbajtjen fort të lidhjeve të tyre me Rumaninë - vendorigjinën e tyre. Sipas
të dhënave, sivjet morën pjesë përfaqësues nga rreth 30 shtete.
Midis tyre pati pjesëmarrës
edhe nga Shqipëria.
Akademik Kopi Kyçyku, (zëvendëspresident i
forumeve më të larta të këtij kongresi, i vetmi i huaj në pozita kaq të larta
në këtë kongres të përvitshëm), shqiptar rumunofon, fumunofil dhe rumunolog, i
cili ishte në kryesinë e zgjedhur për të drejtuar punimet e Kongresit. Krahas
kësaj, z. Kyçyku përuroi 4 libra në gjuhët shqipe dhe rumune duke ligjëruar me
një rumanishte të shkëlqyer...
Librat, të cilët
përuroi Akad. Kyçyku, ishin si më poshtë vijon:
1. Nuk
mësoi si vdiset – Mihai Eminesku, monografi shqip e rumanisht, botim i
Librarium Haemus-it
2. Panait Istrati: Kira Kiralina (shqipërim), prozë, botim i Sh. B. PA nga Prishtina,
me mbështetjen e rrjetit kulturor evropian Traduki;
3. Grigor Vieru: Biblioteka e Vesës (Antologji autori, përzgjedhje dhe shqipërim),
botim i Librarium Haemus-it
4. Mushata Matei, Vargje muze (Shqipërim).
Krahas librave, Akad.
Kyçyku mbajti edhe dy kumtesa, të cilat u ndoqën me interes dhe kërshëri të
madhe nga të pranishmit:
1. Eminesku – model dhe shkollë universale.
2. Mësimdhënia e rumanishtes gjatë shekujve
në mjedisin arumuno-shqiptar.
Unë, Viktor Bakillari (gjithashtu shqiptar), u paraqita me kumtesën në gjuhën frënge “ALBANAIS ET VALAQUES – DES FRÈRES” (Shqiptarë dhe Vllehë – Vëllezër), kumtesë, e cila u parashtrua në gjuhën e vendit mikpritës nga Akad. Kyçyku. Kjo ishte një përmbledhje e një monografie të bërë gati për botim “Rreth fjalës “VLLAH” në gjuhën shqipe”.
***
Data 1 dhjetor
përkon edhe me Ditën Kombëtare të Rumanisë. Me këtë rast, krahas kryeqytetit
Bukuresht, edhe në qytetin Alba Iulia (një qytet i bukur, i pastër, me një kala
tejet mbresëlënëse), ku ne ishim të pranishëm, krahas punimeve të kongresit, u
organizuan festime të mëdha, të bukura. Me rastin e Festës Kombëtare të
Rumanisë, pati parakalime ushtarake, në prani të zyrtarëve të lartë lokale dhe
të përfaqësuesve nga pushteti qendror.
Këto ditë
festive të Rumanisë në qytetin Alba Iulia shoqëroheshin me panaire ushqimore,
artizanale, me ekspozita pikturash, me koncerte festive këngësh e vallesh.
Epiqendra e këtyre panaireve ishte kalaja e këtij qyteti, njërit prej më të
lashtëve të Rumanisë – kryeqytet historik, politik dhe fetar i Principatës së
dikurshme të Transilvanisë.
Nderimet dhe
kurorat me lule, autoritetet e vendit i vendosnin tek monumenti madhështor i Mihai
Viteazul-it (Mihal Trimit) (1558 – 1601), një princ rumun,
i cili arriti të bashkonte tri krahina të mëdha të Rumanisë: Vllahinë,
Transilvaninë dhe Moldavinë. Koha e mbretërimit të tij qe 1593-1601.
Në fund,
organizatorët e kongresit shpërndanë Dokumente (Diploma) mirënjohje për
pjesëmarrjen në këtë ngjarje të botës shpirtërore rumune.
***
Duke ndjekur me
vëmendjen e merituar këtë veprimtari të shëndoshë edukative-kombëtare dhe
përbashkuese të rumunëve, të cilën tashmë e kanë kthyer në një traditë të bukur,
a nuk do të ishte mirë që shembullin e tyre ta ndiqnim edhe ne shqiptarët,
përderisa diçka e tillë tek ne mungon?
Pra, a nuk do të
ishte mirë që shqiptarë me parime dhe me vetëdije të shëndoshë kombëtare,
njerëz me ndikim dhe me autoritet të madh, personalitete të fushave të ndryshme
brenda dhe jashtë vendit, të ndërmerrnin këtë hap tejet patriotik dhe të
krijonin një organizatë si për shembull “Lidhja Shpirtërore e Shqiptarëve nëpër
botë mes njëri-tjetrit dhe me Atë-mëmëdheun e tyre” a diçka të ngjashme?
Kjo do t’u
shërbente Shqiptarëve kudo ku i ka përplasur dallga e fatit me qëllim që të
mbajnë përherë ndezur / të pashuar flakën e pishtarit të rrënjëve të tyre; të
njihen me njëri tjetrin si dhe të mbajnë lidhje të organizuara
institucionalisht me vendin e të parëve të tyre: Shqipërinë.
Kjo do të ishte një nismë e shkëlqyer dhe aktuale për Shqipërinë, kur dihet se më shumë shqiptarë jetojnë jashtë kufijve shtetërorë se sa brenda tyre dhe aq më tepër kur neve na mungon një ministri diaspore.
Kjo do të ishte një nismë e shkëlqyer dhe aktuale për Shqipërinë, kur dihet se më shumë shqiptarë jetojnë jashtë kufijve shtetërorë se sa brenda tyre dhe aq më tepër kur neve na mungon një ministri diaspore.