Simpozium Ndërkombëtar për Levantin / Simpozion Internațional despre Levant


Bukuresht, foto Iulia Enkelana
Lëvizjet progresiste që zunë fill në vitin 2011 në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme tërhoqën vëmendjen e njerëzimit mbi Mesdheun, duke “rizbuluar” këtë djep të lashtë të qytetërimit botëror. Zgjerimi i vazhdueshëm i hapësirës demokratike është duke përftuar edhe një lloj të ri marrëdhëniesh ndërmjet shteteve, mbështetur në dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, duke nxjerrë në plan të parë diplomacinë kulturore dhe dialogun ndërkulturor e duke hequr dorë nga marrëdhëniet e vjetra të ndërtuara mbi forcën ushtarake dhe trysninë ekonomike. Lloji i ri i marrëdhënieve, që ofron një shans për paqen në botën e globalizuar, mund të gjejë një burim frymëzimi në botën e hershme të Levantit, - me “Levant” nënkuptohen territoret në Mesdheun Lindor, duke përfshirë edhe Sirinë, Libanin, Izraelin,Palestinën, Jordaninë, Irakun etj.

Potenciali i Levantit është i madh, jo vetëm ngaqë prej mbi një mijë vjetësh ka qënë djepi i diplomacisë kulturore, por edhe sepse perandoritë romake, bizantine dhe otomane kanë krijuar aty, secila në mënyrën e vet, një hapësirë të gjerë shkëmbimesh, - mallrash dhe idesh, - me dialog kulturor. Ballkani dhe Evropa Juglindore, për një kohë të gjatë kanë qënë në kontakt me Afrikën e Veriut dhe me Lindjen e Afërme dhe banorët e kësaj zone kanë përvojë të pasur përsa i përket dialogut ndërkulturor.