Revista “România pitorească” (Rumania piktoreske), që del pa ndërprerje në Bukuresht, qysh në vitin 1933, në gjuhët frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, italisht dhe rumanisht, në numurin e fundvititit (472 / 2012), ka botuar një artikull të zëvendëskryeredaktorit të saj, Mihai Vasile, me titull: „Kopi Kyçyku, udhërrëfyesi ynë nëpër Shqipëri”, të shoqëruar me gjashtë fotografi me ngjyra, në të cilin thuhet:
Nata kishte rënë me kohë, madje para se të dilnim nga Maqedonia. Kështuqë kur vumë këmbë në tokën shqiptare nuk mundëm veçse të hamendësonim se si do të ishin viset që do të përshkonim. Liqeni i Ohrit na u përshfaq vetëm si një hapësirë e gjerë, e errësuar, diku në të majtë. Si nëpër ëndërr përfytyroja se po kalonim nëpër rrugë gjarpërore dhe se një pjesë e tyre ishin në riparim e sipër. Vetëm kaq!
Dritat e qytetit turistik Pogradec më zgjuan nga gjumi që
ma kish dyndur çdo pjesëzë të trupit. Diku, pranë shoferit, zoti Valentin Cigëu
po fliste në telefon. Fliste në rumanisht, për të kërkuar hollësi rreth vendit
ku duhej të mbërrinim. „Zoti profesor... zoti akademik...” . Duke e vënë veten
në vendin e shoferit, fillova të interesdohem edhe unë për bisedën, por sakaq e
kuptova se, më në fund, edhe unë s’jam veçse një pjesëstar i zakonshëm i
grupit, pa ndonjë përgjegjësi. Dhe u qetësova.
Ishim afër qëndrës së qytetit kur, nga mesi i rrugës, një
burrë në të gjashtëdhjetat, na bëri shënjë të ndaleshim para një hoteli.
Mjaftuan dy lëvizje të Mihait, shoferit që na solli deri aty, dhe mikrobuzi me
16 vende, të cilin miqësisht, por edhe me një farë keqardhjeje, mund të them,
na e pat vënë në dispozicion zoti Xhorxhe Sorin Nikolesku, pronari i firmës
Olimpik Internacional, gjeti vendçlodhjeje për dymbëdhjetë orët e ardhshme.
Thashë „me keqardhjen”, që mendoj se e ka provuar zoti Nikolesku ngaqë, pasi
shkuam sëbashku në Kishinjev dhe Çernëuc, tani, për shkak të punëve të
rëndësishme, nuk pati mundësi të vinte me ne në gjurmët e rumunëve të tjerë
jashtë kufijve të vendit.
Por le të kthehem tek mikpritësi ynë, zoti profesor Kopi Kyçyku. Na qëndroi tërë kohën pranë, gjatë katër ditëve që përshkuam Shqipërinë kryqetërthor. Duke qënë me profesion- bazë inxhinier gjeolog, na foli për pasuritë e vendit të tij; duke qënë shkrimtar e i dhënë pas teatrit, na tregoi për takimet me Viktor Eftimiun dhe Kiril Ekonomun. Na shpuri të vizitonim Linin, fshatin në bregun shqiptar të Liqenit të Ohrit, ku pamë rrënojat e një bazilike të shekullit V, të zbuluar më 1968. Me interes aty janë mozaikët, tanimë të mbrojtur me shtresa rëre, por edhe pesë varre të personaliteteve të kohës. Gjatë gërmimeve ishin gjetur edhe dy kapitele dhe një mbishkrim - epitaf në greqishte të vjetër, ende i papërkthyeshëm. Si vendbanim njihet qysh në shekullin V para Krishtit, ndërsa bazilika u ndërtua dhjetë shekuj më vonë.
Pastaj na çoi në rrugët plot gjallëri të qytetit të
Korçës dhe së andjemi - në Voskopojë, qyteti, i cili më 1760, në vitet e
lavdisë së vet, kishte një popullsi prej 60.000 banorësh, më të madhe se të
Konstandinopojës. Pas shkatërrimit më 1788 nga trupat e Ali Pashës, Voskopoja
nuk u rikthye më në begatinë e mëparshme, ndërsa sot është vetëm një katund i
vogël i rrethit të Korçës. Banorët e saj ikën drejt Rumanisë, Sërbisë,
Bullgarisë dhe Austro-Hungarisë, por një pjesë e madhe e tyre ndenjën nëKorçë,
duke e shndrruar në një qytet të begatë, të banuar kryesisht nga arumunë.
Në Voskopojë, në kopshtin e një taverne, në një tavolinë
të rregulluar bukur, me të gjitha të mirat, zoti Kopi Kyçyku na rrëfeu
historinë e dashurisë së tij të madhe që pat përjetuar kur ishte vetëm 17 vjeç.
Ku? Do të pyesni ju. Pikërisht në Bukuresht, ku pat njohur atë që do t’imbetej
në shpirt përjetë - Aurorën. U njohën, u dashuruan, u ndanë në aeroportin
Baneasa më 1961 dhe më pas shkëmbyen letra. Fatkeqësisht, pas letrës së tretë
Aurora nuk dha më përgjigje. Një vit, dy, tre... 29 vjet e priti atë përgjigje, por nuk mori asgjë. „Do të më
ketë harruar” mendoi. Më 1990, zoti Kopi Kyçyku, që punonte në Akademinë e
Shkencave të Shqipërisë, mori një ftesë nga Akademia e Shkencave e Rumanisë, të
firmosur nga e ndjera akademike Zoe Dumitresku Bushulenga. „Atëhere,
shpresëprerë, u ngjita në katin e katërt të pallatit, përballë Sallës së
Kongreseve. Shkallët i ngjita më këmbë,
sepse ashensori ishte me difekt. Zemra sikur po më dilte nga kraharori. E putha
derën dhe i rashë ziles. „Kush është?” u dëgjua zëri i pandryshuar i atit të
saj. „Unë, Kyçyku, shqiptari!”. Ma hapi. „Ç’bën Aurora? Sa fëmijë ka?” Burrë e
grua filluan të qanin. Kështu mësova se pas më pak se dy muaj nga largimi im,
Aurora pat vdekur në një aksident automobilistik. Ndërmjet fotografive të saj,
gjeta, të palexuar, letrën e fundit , për të cilën nuk pata marrë përgjigje. Qysh atëhere, sa herë vij në Rumani e zgjat
kohën e qëndrimit tëpaktën për disa ditë
që të shkoj afër Tërgovishtes, që të ve një lule atje ku ka rënë”.
Pò në Voskopojë biseduam me
priftin arumun Toma, në kishën e Shënkollit, ndërtuar më 1721. Deri në atë kohë, arumunët, katër shekuj
rresht, vinin në dimër, në Voskopojë, me delet, me dhitë dhe me kuajt, ndërsa
në verë zbrisnin në fushë. Po atëhere arumunët kishin marrëdhënie tregtare edhe
me Venecjen e me Konstandinopojën. Atëkohë u ndërtuan në ato vise katër kisha
të pikturuara nga David Selenicasi, piktor arumun, dhe më pas nga vëllezërit
Konstandin dhe Athanas.
Në periudhën komuniste nuk pati mesha.
Sot kisha e Shënkollit është e vetmja në atë zonë, ku shërbesat fetare mbahen
në arumanisht. Prifti dhe besimtarët presin sponsorizime për restaurimin e
pikturave dhe riparimin e kishës.
Vizita jonë nëpër Shqipëri vazhdoi me
shpejtësi të madhe. Nga Pogradeci bëmë drejt bregut të Detit Adriatik. Kaluam
përmes Vlorës, pastaj përshkuam rrugën e asfaltuar bregdetare që do të na çonte
në Sarandë, rrugë që jo një herë ta ndal frymën kur vështron nga Deti Jon, mbi
të cilin sikur të hedh pas çdo kthese. Atmosfera e qytetit, rrugët e ngushta të
cilat milrobuzi ynë i kalon me vështirësi, qarkullimi kaotik i makinave, për të
cilat respektimi i kodit rrugor duket si i padetyrueshëm, muzika e ngritur në
maksimum që bubullon nëpër dritaret e hapura cep më cep të veturave dhe, më në
fund minaretë që sikur shpojnë qiellin, na krijojnë përshtypjen se gjendemi në
Orient. Përndryshe, kaltërsia e detit dhe bregu i afërt i ishullit të Korfuzit
na sjellin me këmbët në tokë. Ndodhemi në Evropë, shumë pranë kufirit me
Greqinë.
Pa e ndalur ende makinën para hotelit
të Sarandës, ku do të kalonim natën, marrim njoftimin se “aventura” e njohjes
së Shqipërisë do të vazhdonte. Shkuam drejt Butrintit, 14 kilometra larg
Sarandës, fare afër kufirit me Greqinë. I palodhuri, zoti Kopi kyçyku, bashkë
me pronarët e hotelit 2) ku u strehuam, na shëtisin nëpër rruginat e pafundme
të atij parku natyror, arkeologjik. Të dhënat vijnë njëra pas tjetrës me
shpejtësi. Aq sa me zor i futim në
kujtesë. Një gjë e kam të qartë. Shqipëria është një vend që jo vetëm e
meriton, por është e domosdoshme të rikthehesh. Udha për në Tiranë kalon nëpër
dy vende të veçanta: Gjirokastra dhe Apolonia, një tjetër park arkeologjik ky,
që të mjaftojnë 2-3 orë për ta vizituar. Në Tiranë patëm kënaqësinë të takohemi
me kryetarin e Bashkimit të Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, zotin
Aleksandër Çipa, dhe me poetin Sinan Kërpaçi.
I ulur në ballë të mikrobuzit, zoti
Kopi Kyçyku na bëri për vete gjatë gjithë eskursionit. Na foli, na recitoi, na
këndoi, duke na bërë ta ndjejmë që kemi pranë një mik të dashuruar përsëthelli
me mëmëdheun, Shqipërinë, por edhe me vendin tonë. “Duke e ditur kaq mirë
gjuhën rumune, duke bashkëpunuar me Rumaninë në shumë fusha, a keni menduar të
merrni shtetësinë rumune?” e pyeti një kolege eskursioniste. Përgjigja e tij
ishte e qartë dhe e prerë: “Unë jam shqiptar, por edhe Rumaninë do ta mbaj
gjithmonë në shpirt!”
Vise të reja sheh kudo në botë. Ndoshta
për këtë arsye, pas “aventurës” shqiptare, në mendjen time do të mbetet, më
parë se sa trevat e rralla nëpër të
cilat kaluam, imazhi i këtij burri, drita e syve të tij kur na fliste për
vendlindjen, miqësia që na dëshmoi dhe, më në fund, lotët në sytë e zotërisë së
tij atëhere kur u ndamë duke i uruar:
“Përshumëvjet gëzuar!”
______________________
1) Në njërën nga fotot, duke iu treguar pëllëmbën e dorës, -
që është dhënë posaçërisht me përmasa më të mëdha, - Kopi Kyçyku iu thotë miqve rumunë: „Harta e
atdheut tim ndodhet në pëllëmbën e dorës të çdo banori, anembanë rruzullit
tokësor”.
2) Duhet saktësuar se shoqëruesit e grupit rumun në Butrint,
nuk ishin pronarët e hotelit, por poetja e mirënjohur, dr. Irena Gjoni (alias
Iren Papas) dhe bashkëshorti i saj, arkeolog i talentuar.