Në Shqipëri mbërritëm në orët e vona të natës, pas një rrugëtimi të gjatë, tejet të gjatë, që e nisëm në Bukuresht në të aguar, përshkuam Bullgarinë e më pas Maqedoninë. Në qytetin ku u ndalëm, nga ballkoni i dhomës së hotelit, nëpër terrin e natës së ndërprerë nga një reklamë e madhe në ndërtesën përballë, - që tregonte, me një të kuqe të fortë, datën, orën lokale, temperaturën e ajrit, - dhe nga drita e hënës pothuajse të rrumbullaktë, syri na zuri një cep të ndritshëm uji që përpëlitej në vorbullën e valëve dhe duke rrezatuar vazhdimisht në breg një rënkim nënshtrimi. Isha e sigurtë që nuk ndodhesha në det, por nuk kisha as më të zbehtën ide për çka do të m’i gëzonte sytë dhe shpirtin pas lindjes së diellit...
Gjendeshim në Pogradec apo Enkelana, në Juglindje të vendit, në breg të Liqenit
të Ohrit, kufi natyror me Republikën e Maqedonisë. Një qytet me afro 30.000 banorë,
me histori mijëvjeçare, i qarkuar në Veri dhe në Jug nga male me shkëmbinj
karstikë, si një kështjellë, pikturuar nga peneli i vjeshtës me ngjyra vaji,
duke mbrojtur me ëmbëlsi shtrirjen e ujit, për t’u bashkuar në largësi me
sivëllezërit maqedonas. Një stacion turistik i bukur, ku pushonin dikur vetëm
udhëheqësit e vendit, me diktatorin Enver Hoxha në krye. Parqe me bimësi
mesdhetare, me shtatore të frymëzuara, kushtuar atyre që e kanë gdhendur emrin
në librat e artë të kulturës shqiptare, - shkrimtarë, piktorë, historianë.
Lokale të vegjël dhe kafene ku të presin e të shërbejnë si jo më mirë, rrugica
me “yje” në kujtim të disa personaliteteve, me boutique me mallra të rafinuara
dhe çmime të pranueshme. Makina pak, me marka interesante, megjithse jo të
gjitha të reja, njerëz të veshur thjesht nëpër rrugë, kurreshtarë ndaj
turistëve.
![]() |
Pamje e Pogradecit |
U mahnita që uji i Liqenit të Ohrit ishte i pastër si kristali. I cilësuar
si më i vjetri në Evropë dhe ndër më të hershmit në botë, ky liqen ndodhet në
lartësinë 695 m. mbi nivelin e detit, ka një sipërfaqe prej 358 km² (nga e cila
1/3 i përket Shqipërisë), një breg me gjatësi 88 km dhe thellësi 289 m., duke
qenë, për nga thellësia i shtati në Evropë. Me një florë dhe faunë të
jashtëzakonshme, Liqeni i Ohrit ndodhet aktualisht në qendër të vëmendjes së
Bankës Botërore lidhur me financimin e një projekti për sigurimin e standardeve
të mbrojtjes së mjedisit.
„Shqipёria” jeton me krenari nën flamurin e saj, të kuq si gjaku, të mbrojtur me guxim
nga shqiponja dykrerëshe me kthetra të rrepta. Ky ka qenë flamuri luftarak i
Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, i cili në shekullin XV udhëhoqi një
kryengritje kundër osmanëve dhe siguroi për 35 vjet rresht pavarësinë për disa
krahina të vendit. Legjenda thotë se shqiptarët e quajnë veten si të prejardhur
nga shqiponjat, duke u quajtur “shqiptarë”, pra “bijtë e shqipeve”.
Të shquar për një atdhetarizëm të denjë për t’u admiruar, jashtëzakonisht
mikpritës e të çiltër, me shpirt të madh, të hapur drejt ndjenjave të vërteta,
duke e urryer gënjeshtrën dhe dyfytyrësinë, shqiptarët bëhen të pamëshirshëm
ndaj armiqve apo hipokritëve. Një popull i fuqishëm, me tipare të ashpra, si të
skalitura në gurët e shkëmbinjve dhe në thellësi të humnerave tepër të
rrezikshme…
Në Perëndim Deti Jon dhe Adriatiku lagin bregun me bujari jugore. Përmes
palmave të magjishme, midis drurëve të lulëzuar, që janë si balsam për ajrin e
bregdetit, përvijohen siluetat elegante të hoteleve luksoze të qyteteve
bregdetare, me emra ekzotikë, me rezonancë joshëse: Saranda, Vlora, Durrës… Bizhuteri
të mirëfillta të rivierës shqiptare, me lokale të ndriçuara hijshëm, me meny
tradicionale dhe gjellë jashtëzakonisht të shijshme, me verë të mirë dhe birrë
vendëse. Shërbime të ofruara nga një personel i përgatitur mirë, i efektshëm e
me një buzëqeshje të hapur; tavolina të rregulluara me stil. Magazina me
suvenire të bukura, me shijë, ku shitësit të japin, si bonus, kartolina me
pamje të mrekullueshme të vendit. Ngado dëgjon muzikë të interpretuar me
kitarë, violinë dhe violonçel, që të krijon një gjendje shpirtërore të mirë,
çlodhëse, gazmendëse...
Drejt qendrës, rrugët të çojnë në Tiranë, vendbanim i krijuar më 1614. Një
qytet me më shumë ndërtesa që të kujtojnë kohën e komunizmit, por edhe me
ngrehina të reja, moderne, me magazina tërheqëse, me makina të brezit më të ri,
me firma me prestigj ndërkombëtar, ku zhvillohen veprimtari të begata.
Krejt imazhi i përgjithshëm i vendit dëshmon se në Shqipëri interesi për të
investuar është madhor. Si në çdo kryeqytet, njerëzit nxitojnë për në vendet e
punës. Të moshuarit, por edhe të vegjlit, duke përfituar nga vite me kohë të
lirë më të madhe, shoqërohen në parqet me florë krejt të veçantë. Pemët, duke
ua shfaqur moshën përmes rrudhave të thella të lëvozhgës, u dhurojnë, me
butësi, hijen e dendur të gjethnajave. Kupola kishash ortodokse, silueta
elegante minaresh, në një harmoni të përkryer, ashtu si jeta e shqiptarëve me
fe të ndryshme, e plotësojnë portretin e Tiranës, qyteti i fundit ku u çapitëm
në vendin e shqiponjave.
Në kthim nuk mundëm të shkëputeshim nga imazhi i jashtëzakonshëm i atij që
na shoqëroi në këtë udhëtim. Një personalitet i madh i jetës kulturore dhe
shkencore shqiptare dhe evropiane, zoti Akademik profesor doktor Kopi Kyçyku, i
apasionuar pas gjithçkaje që do të thotë Rumani, që na foli në një rumanishte
absolutisht perfekte, duke dëshmuar njohuri të thella, solide, për letërsinë,
artin, muzikën, historinë e popullit e të vendit të tij, për gjeografinë,
politikën, ekonominë, jetën sociale, me të gjitha problemet e saj aktuale. Nga
njëra anë, u mahnitëm nga gjithçka që dinte zotëria e tij, nga ana tjetër, një
zhgënjim që shumë nga ne, rumunët, jetojmë në një injorancë të madhe, duke qenë
të painteresuar për vendin që na dha një status dhe një kombësi. Besoj se
përpara se t’ua vemë fajin të tjerëve, duhet të qortojmë vetveten dhe të
pranojmë shëmbuj të denjë për respekt të plotë. Përveç gjuhës, kulturës dhe
qytetërimit rumun, zoti Akademik zotëronte gjithaq mirë gjuhët italisht,
frëngjisht, rusisht, anglisht, gjermanisht, turqisht, bullgarisht… duke cituar
nga klasikët e letërsive përkatëse, duke recituar vjersha dhe duke evokuar
evenimente nga historia dhe kultura e vendeve përkatëse, disa prej të cilave
përcaktuese për historinë e trazuar të krejt rajonit ballkanik, një mozaik i
vërtetë.
Ju falemnderit, zoti Akademik Kyçyku, për leksionin e kulturës!
Falemnderit "Shqiponjave" për
miqësinë dhe ngrohtësinë me të cilën na pritën në vendin e tyre!
Presa de Turism, Bukuresht, 8 tetor 2012
Foto: Presa de Turism 2012