In Memoriam: "Gazeta e një gazetari pa gazetë" / ”Jurnalul unui jurnalist fără jurnal” - fragmente




ION D. SIRBU
(28 qershor 1919 – 17 shtator 1989)

Bir minatori, luftëtar në frontin e lindjes, student i shkëlqyer në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Kluzh, asistent i Luçian Blagës në Katedrën e Filozofisë, Ion D. Sîrbu është një nga majat e padiskutueshme e gjithaq të panjohura të mendimit rumun dhe evropian. Mënjanohet nga jeta kulturore në vitet ’50 ‘për orientime idealiste’ dhe caktohet mësues në qytetin Baia de Arieş. Më pas punon si mësues gjimnazi. Më 16 shtator 1957 arrestohet nën akuzën se ‘nuk ka denoncuar’ dhe mbyllet 6 vjet në burg. Pas lirimit, i ndalohet botimi dhe internohet në Petrila, ku punon si vagonashtyrës në minierë. Më vonë emërohet në Teatrin e Valea Jiului (i cili sot i mban emrin) dhe punon për nëntë vjet me radhë si sekretar letrar i Teatrit Kombëtar të Krajovës. Është autor i shumë vëllimeve me prozë, me drama (Kthimi i atit plangprishës, Arka e shpresës së mirë, Gjethe që bien, - të cilat janë luajtur në shumë vende të botës), i disa romaneve (Lamtumirë Evropë!, Ujku dhe katedralja), i një vëllimi letrash (Dimri i sëmurë me kancer), si dhe i një ditari të jashtëzakonshëm, nga i cili po japim disa copëza.

Gazeta e një gazetari pa gazetë

Fragmente

“…historia e vërtetë e shekullit tonë nuk do të mund të shkruhet ndonjëherë: llava e dokumenteve dhe kundërdokumenteve do të bëjë të mundur që ky shekull, më tragjiku në histori, të shkëputet nga vargu. (Një perandor kinez duket të ketë thënë: ‘mjafton të shkatërrosh një shekull, që të bjerret tërë vargu i kohës’)”.


“Olimpia dixit: ‘Turpi më i madh i kulturës perëndimore më duket se është ky: nuk ka qenë në gjendje të krijojë utopinë e saj, prandaj e importon nga Lindja, duke e paguar me grurë, gjalpë, teknikë të përparuar dhe budallallëk optimist”.

“Duartrokitjet, thotë Lorentz-i, mund të vrasin një krokodil, por në rastin e njeriut nuk arrijnë veçse të rritin quantum-in e acidit linoleik, i vetmi sekrecion që mund ta shndërrojë furinë në paranojë dhe paranojën në furi…”

“Kulla e Babelit ‘u shpërthye’ në 3.000 gjuhë e fara: tani po kaq gjuhë e fara e ringrenë për t’u ribashkuar në asgjë”.


“Egjipti shpiku shpirtin. Duke u përpjekur ta bëjnë të pavdekshëm, Grekët shpikën Frymën, pikërisht se e dinin sa të vdekshëm ishin. Romakët shpikën Historinë, sepse, duke qenë të vdekshëm, donin të mbeteshin të pavdekshëm. Olimpia, - me të cilën kam vajtur në varrimin e një shoku të zyrës së saj, - thotë (dhe më tregon): “Shikoji ata që ecin pas të ndjerit. Ata të rreshtave të para qajnë, ata të rreshtave të dyta kuvendojnë, kurse ata të rreshtave të fundit qeshin, zbaviten…”


“Ajo që shihet, ndjehet dhe parandjehet, është vetëm simptoma: sëmundja e vërtetë është e fshehur, kriptike, më e thellë dhe më e rëndë nga sa arrijmë të kapim ne me mendjen tonë të kufizuar. Plaku, - i cili është i bindur se Bota është e dënuar përfundimisht me humbje (jo me vdekje, por me humbje), - dje, tek rrekesha t’i thoja se ‘është e pamundur, Zoti ka një plan për ne, përndryshe nuk na bënte kështu siç jemi’, m’u përgjigj me një epërsi sokratike: ‘Por mundet edhe që për Zotin miza të jetë më e rëndësishme se Njeriu!”


“Në këtë Isarllëkun tonë, më thotë kolegu Sommer, nuk ka as bindje, as besime, apo pikëpamje të patundshme; sikurse metabolizmi, bindjet ndërrohen njëheresh me orët e ditënatës: në mëngjes qytetarët janë ateistë dhe materialistë, shkojnë nëpër uzina e fabrika duke marshuar, mirpo aty nga dreka nisin të dyshojnë për gjithçka e për të gjithë; në mbrëmje falen, bëhen besimtarë të mirë, kurse natën kthehen dhe ëndërrojnë në mitologjinë skllavëruese të maktheve e paradokseve të pavetëdijshme, që janë pasoja të shartimit tonë latino-greko-judeo-krishtero-sllavo-fanarioto-bonzhuristo-ballkanas. 


Gjëja më munduese, - por edhe llahtarisëse, si armë mbrojtëse, si përshtatje me kushtet e dyfytyrësisë së detyruar, - qëndron në faktin se as që ke kohë t’i kundërshtosh për ndonjë gjë, sepse tashmë kanë kaluar në anën tënde”.


“Pra, Gënjeshtra nuk është e kundërta e së Vërtetës; është vetëm mënyra më e lirë për të fshehur një dështim”.


“Perandoritë në shkatërrim e sipër, sipas kinezëve, shfaqin këto shenja të sigurta:
- kanë shumë ligje;
- këta ligje përplasen kokë më kokë;
- këto koka janë pa kokë;
- por koka s’bën gjë tjetër veç nxjerrjes së ligjeve;
- me të cilat të mbrohet koka;
- nga aq shumë ligje;
- që përplasen kokë më kokë;
- dhe e detyrojnë kësisoj kokën të nxjerrë një ligj tjetër;
- kundër atyre që shtojnë ligjet;
- etj”.

“Në gjumë, në lutje, në çastet e mia të makthit dhe në muajt e anktheve të kota, gjaku im i pastër kthehet mbrapsht tek prindërit”.

“Jam kaq i vetmuar, kaq larg njerëzve dhe i mbyllur bote, saqë nuk do të përjashtohej mundësia që gjithë çka ëndërroj e mendoj të jetë aq e rreme sa të jetë vetë e vërteta e vërtetë”


“… çdo mut i thatë, - thosh Blaga[1] në çastet e tij të rralla me humor, - ka të drejtën të shkruajë kujtimet e veta prej trëndafili”.

Nga arkivi i Revistës Haemus - 1998

Zgjodhi e shqipëroi A.-Ch. Kyçyku




[1] Poet, mendimtar, eseist, prozator e dramaturg rumun i përmasave evropiane (1895-1961).