Dy romane shqiptarë „pa viza”



Trusti botues „Ideea Contemporană” (Ideja Evropiane), një nga më fuqishmit në botën rumune, gjeti mënyrën origjinale për t'i uruar shqiptarët në ditën e shpalljes së vendimit të ministrave të brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave në zonën Shengen: botoi dy romane të autorëve Ardian-Christian Kyçyku dhe Bashkim Shehu.


E shkruar në rumanisht, vepra “Ish, roman me dashuri & konspiracion”, e Ardian-Christian Kyçykut, sjell një tjetër motërzim të historisë së Evropës Juglindore, tashmë e këqyrur me sytë e një varrmihësi ballkanas. Në paraqitjen e këtij botimi, si edhe në shtypin kulturor rumun, ndër të tjera, lexojmë: „Varrmihësi ndeshet me një mrekulli që ende nuk është trajtuar nga letërsia, ose nga shtypi. Jeta e tij ndryshon rrënjësisht pas një ëndrre të rëndomtë, - një kafke, të cilën e gjen në kopësht, - dhe miqësimit me një çift të rinjsh që luftojnë, secili në mënyrën e vet, kundër të papriturave të jetës. Befasues jo vetëm për nga gjuha dhe humori, por edhe falë një përfytyrimi plot dhembshuri ndaj vuajtjeve të përditshme dhe ndaj asaj lufte të hershme, - të dukshme apo të nëndheshme, - ndërmjet brezave e jo vetëm midis tyre, ky roman me dashuri & konspiracion zbulon disa realitete të fshehura nga këmbimet e çuditshme për të cilat kanë rënë e bien në ujdi breza njerëzorë, që, nga pikëpamja e mendësisë dhe e ndjeshmërisë, përjashtohen mesveti. Këto lloje këmbimesh fshehin, në thelb, një lojë, ose,  më saktë: LOJËN, të cilën Njeriu e ka shpërfillur aq sa tani nuk di më të luajë veçse me fatin e vet, por edhe shansin e vetëm të species për të mbijetuar”.
Sikurse ka dëshmuar vetë, Kyçyku e ka shkruar këtë roman në tren, gjatë udhëtimeve nga Bukureshti për në Konstancës. Atëhere ai jepte mësim në një nga universitetet e këtij qyteti në breg të Detit të Zi.

Romani „Angelus Novus” i Bashkim Shehut, përkthyer mjeshtërisht në rumanisht nga Kopi Kyçyku, me një paraqitje të prozatorit Istref Haxhillari, i ofron lexuesit të rumanishtes të dhëna të mirëfillta nga skëterra diktatoriale shqiptare, ku autori ka mbijetuar për një periudhë të gjatë. „Mbi persekutimin e diktaturës komuniste kanë shkruar autorë të mirëfilltë, - thuhet në parathënie, - po më së shumti qytetarë të thjeshtë, që shprehin mllefin e grumbulluar, zbulojnë pamje të llahtarshme të burgjeve, akuzojnë perskutorët, kërkojnë të drejtat e tyre. Në dallim nga të gjithë këta, autori i romanit “Angelus Novus” nuk akuzon direkt askënd, nuk merr përsipër të qahet e të kërkojë revansh apo rivendosjen e të drejtave të humbura në dhjetë vite burgim politik. Në morinë e bashkëvuajtësve ai zgjedh Mark Shpendin, një verior nga Nikaj - Mërturi i largët e i humbur në Ninderlandin e Shqipërisë, njeri me mendje të pazakontë, ndonse me shkollim minimal, lënë përgjysmë në Tiranë për motive politike. Bisedat e burgut, djalogët Shehu - Shpendi janë traktate të mirëfillta filozofike, mënyra të holla trajtese për jetën dhe vdekjen, për marrdhëniet njerëzore dhe sistemet politike, dashurinë dhe mendimin”.
Botimi i „Angelus Novus” përfaqëson një tjetër vënie në vend, me kulturë dhe me art të zgjedhur, të së drejtës së ligjshme të autorëve të përndjekur për ta thënë fjalën „me gojën e tyre” në një zonë letrare, ku deri më tash, rëndom janë botuar e janë promovuar autorë që kanë shkruar për e në emër të vuajtes së të tjerëve.
„Ideea Contemporană”, që është duke e botuar të plotë veprën e gjerë të Ardian-Christian Kyçykut, të shkruar drejtpërdrejt në gjuhën rumune dhe që i adresohet posaçërisht lexuesit rumun, ka vënë tashmë në plan edhe botimin e një sërë veprash të letërsisë shqipe, të përkthyera në rumanisht, sidhe të asaj rumune, të shqipëruara, për një njohje dhe afrim sa më të madh mes dy kulturave tona, në vazhdën e një tradite tejet të pasur.
HaemusPress 2010