Damiani i Shqipërisë / fotografi nga interneti |
Fortlumturia e Tij Damiani i Shqipërisë, (Dhimitër
Kokoneshi, Llëngë 1886 – Pogradec 1973) është një personalitet, mbi jetën dhe
veprimtarinë e të cilit nuk rëndon asnjë hije paqartësie, aq më pak dyshimi.
Gjatë gjithë jetës së tij, Uratë Damiani pati bekimin dhe përkushtimin të
ruante një baraspeshë të rrallë e frymëzuese ndërmjet besimit të mirëfilltë dhe
veprimtarisë në të mirë të bashkësisë.
Qysh i ri, duke zbatuar kredon e
fetarëve shqiptarë, pavarësisht nga dallimet, “Fe
e atdhe”, Uratë Damiani u përfshi me armë në dorë në Luftën
Nacional-Çlirimtare, për të mbrojtur atdheun, i cili, për një prift të lindur
si ai, nuk shquhet ndjeshëm nga feja, sikurse anasjelltas.
Zbatimi i kredos së mësipërme lidhet
drejtpërdrejt me urdhëresën e shpëtimtarit Jezu Krisht: “Jepi
Qesarit atë që i takon Qesarit dhe Zotit atë që i takon Zotit”. Në të katër
Ungjijtë e Shënjtë, marrëdhënia mes shtetarëve dhe fetarëve sqarohet
plotësisht. Shtetarët (duhet të) bëjnë politikë, ndërsa fetarët (janë zgjedhur
dhe) duhet të luten për ta, me dëshirën që Zoti t’u hapë sytë, t’i mësojë për
mirë dhe, nëse nuk do të mundin të bëjnë mirë, të paktën të mos bëjnë, ose të
bëjnë sa më pak keq.
Historia e Kishës Lindore ka mjaft
shembuj priftërinjsh e murgjish që kanë dhënë ndihmesë në mbarëvajtjen e punëve
të shtetit, duke nisur mbase me Shën Maksim Dëshmitarin, - martir që ishte
kryesekretar perandorak dhe të cilit, si ndëshkim për shkrimet e jashtëzakoshme
shpirtërore, i prenë dorën e djathtë dhe gjuhën, - e duke vijuar me Fan S.
Nolin, si dhe me klerikë të ditëve tona. Përfshirja e klerikëve në zonën shtetërore duhet këqyrur si një
aftësi e forcë për të mos shmangur sprovat, jo si nevojë për pushtet e ofiqe.
Uratë Damiani dha një shembull të denjë për mbarë klerikët shqiptarë e jo vetëm, duke drejtuar për disa vjet Komitetin Ekzekutiv të një qyteti të vogël dhe jo shumë të njohur, si Pogradeci. Përkushtimi i Uratë Damianit ka vlera sidomos ngaqë bëhet fjalë për zgjidhjen e halleve të një bashkësie të pakët, e cila, jo rrallë, mund të jetë më vështirë për t’u drejtuar sesa një shtet i madh me ligje e rregulla “të tokësuara” prej vitesh. Vlen të përmendet me këtë rast që gjer edhe diktatori Hoxha e rreshton emrin e Uratë Damianit mes klerikëve të shquar shqiptarë, që dëshmuan atdhetari të kulluar.
Pas kryerjes së detyrës si kryetar i
Komitetit Ekzekutiv të Pogradecit, Uratë Damiani u kthye plotësisht në
shërbesëtari dhe vazhdoi t’u printe shpirtrave të besimtarëve, në një zonë
tjetër hallesh, pikëpyetjesh e sprovash.
Nga çasti kur nisi të ngjitte shkallët
e hierarkisë kishtare, si njohës nga brenda i shndërrimeve politike e shoqërore
që po ndodhnin në Evropën Lindore, i gatshëm për çdo vetmohim, siç ia kërkonte
betimi, dhe i vetëdijshëm për caqet jonjerëzore ku mund të shkonte regjimi ateist,
Uratë Damiani u bashkua në Krisht e
në ngjashmëri fati me disa nga klerikët e shquar të shekullit XX. Ndërsa kur u
zgjodh Kryepeshkop i Shqipërisë, iu desh të përballte sprova e gjendje që duken
pa rrugëdalje, pakashumë si homologët e tij rumun e rus, përkatësisht Justinian
Marina (1901-1977) dhe Aleksej I Simanski (1877-1970). I pari luftoi me
mençuri, qetësi e mirëkuptim, duke bërë lëshime sa më të padëmshme ndaj
diktaturës rumune, sidomos pas ligjit famëkeq të vitit 1958, që mbylli shumë
kisha e manastire dhe ndaloi murgjërimin e dikujt para moshës 50-vjeçare,
ndërsa i dyti, duke mbartur një përgjegjësi të pabesueshme falë hapësirës dhe
popullit rus, ia doli mbanë, mes të tjerash, ta bindte Stalinin të rihapte mbi
1800 kisha e manastire të mbyllura nga bolshevikët, si dhe të siguronte lirimin
nga burgu të mijëra murgjve e priftërinjve.
Historiografia kishtare bën me dijë se
Uratë Damiani ka qënë në Moskë si anëtar i delegacionit të Kishës Ortodokse
Autoqefale Shqiptare. “Vlerësimi i rolit të
Kishës Ortodokse Ruse u bë edhe nga njëri prej anëtarëve të delegacionit të
Kishës Ortodokse Shqiptare, protojerei Dh. Kokoneshi, kryetari i mëvonshëm i
Kishës Shqiptare, i cili në fund të vizitës u shpreh: „Vizita jonë na bindi se
Kisha Ortodokse Ruse është dhe do të jetë, ashtu sikurse ka qënë, burim i
Besimit Ortodoks në të gjithë botën”.[1] Në këtë kontekst, duhet theksuar
se Uratë Damiani padyshim kish parasysh ndihmesën e paçmueshme të Rusisë së
Përhershme në mbrojtjen e Ortodoksisë, dëshmuar nga numuri i pazakontë i
martirëve dhe i shënjtorëve me ndikim vendimtar mbi Ortodoksinë e përbotshme,
ruajtës të parimeve të saj themeltare dhe përçues të përvojave të hershme (mund
të përmendim Shën Serafimin e Sarovit, Shën Joan Rusin, Shën Siluan Athonitin,
Shën Sergjin e Radonezhit, Shën Joanin e Kronshtadtit, Shën Lluka Doktorin,
Shën Sofronin e Esseksit e Shën Ksenian e Shën Peterburgut; një aradhë të tërë
priftërinjsh, murgjsh, drejtues manastiresh, si dhe shumë klerikë qytetesh të
vegjël apo fshatrash, të njohur, pak të njohur, ose krejt të panjohur).
Duke marrë emrin e dy shënjtorëve
shërimtarë (Shën Damiani), Uratë Damianit i ngarkohej përgjegjësia të mbante sa
më të shëndetshëm shpirtin e një bashkësie të vogël, me gjuhë të rrallë e që u
gjend nën thundrën e një diktature të pashoqe në historinë e njerëzimit, të
paktën sa i përket egërsisë me të cilën luftoi besimin fetar. Uratë Damiani
dinte se të vetmet mjete në situata të tilla, - për Ortodoksinë, çdo sprovë e
gjatë e natyrës politike vjen si pasojë e mëkateve njerëzore dhe lejohet nga
Zoti me qëllim që shpirtrat të pastrohen e të ndriçohen falë durimit pa ankime
të vuajtjeve, - ishin durimi, lutja dhe mirëkuptimi, derisa tallazi i errët të
kalonte. Padyshim, ai njihte edhe bindjen e traditës shpirtërore indiane, sipas
së cilës "Sa të keqe të durosh, aq e
keqe vdes në botë".
Periudha e shkurtër e Uratë Damianit si
Kryepeshkop i Shqipërisë mund të cilësohet edhe më e rënda, më e egra, më
dëshpëruesja. Historia e përditshme, ajo që hulumtohet në bazë të bëmave të
politikanëve në marrëdhënie me popujt, ka vlerë për Kishën vetëm në masën në të
cilën politikanë e shtetas mësojnë nga vuajtjet. Në këtë marrëdhënie që duket e
ndërlikuar, prijësit shpirtërorë kalojnë nëpër disa shtresa vuajtjesh. Disa
prej tyre, falë lutjeve, durimit dhe mirëkuptimit arrijnë të ndriçojnë mes
bashkësisë përmes martirizimit, disa përmes vuajtjeve të gjata e çnjerëzore,
disa në fshehtësi, në Krishtin.
Nëse do të përqëndroheshim në Shkrimet
e Shënjta, në “Filokali”, ose në përvojën e shënjtorëve apo murgjve ortodoksë,
do të gjenim të shprehur qartë se “Lutja
është mundim”, ndërsa Dëgjesa dhe Mirëkuptimi, - brenda bashkësisë, sikurse
edhe ai ndërfetar, - janë forcë e pushtet jashtëtokësor, jo dobësi apo
diplomaci. Uratë Damiani mbetet një shembull i ndritshëm si prijës shpirtëror,
që u lut pa ndërprerje, duroi fyerje e pamundësira të shumanshme, dhe rrënjosi
hap pas hapi, gjer edhe pas ikjes nga kjo botë, Mirëkuptimin.
Për shkak të të dhënave të përcipta e
plot kundërthënie, - që duan të shtojnë mjegull, dasi e mëri mes feve, - duhet
dëshmuar me forcë se njëri nga parimet-shtyllë të Ortodoksisë është "Vetëm Zoti di kë shpëton; mos gjyko robin e
Tjetrit". Shën Siluan Athoniti, për shëmbull, njihet si njeriu që i
deshi kundërshtarët dhe u lut për ta me gjithë shpirt. Një mirëkuptim të
ngjashëm gjejmë edhe në veprimtarinë e Shën Joan Rusit, apo të Shën Nektarit të
Eginit (shërimtar e mrekullibërës shumë i vlerësuar në ditët tona). Në një
Shqipëri të cfilitur nga dyndja e ateizmit dhe nga të papriturat shpesh
dëmprurese, Uratë Damiani ndoqi udhën e Lutjes, Durimit dhe Mirëkuptimit. Në
një epokë kur një sjellje e tillë mund ta përjashtonte gjer edhe njeriun e
thjeshtë nga jeta historike apo shoqërore dhe kur jeta shpirtërore ishte e
ndëshkueshme me ligj, Uratë Damiani nuk e humbi shpresën në thënien e
Shpëtimtarit Jezu Krisht: “Ajo që për
njerëzit është e pamundur, për Zotin është e mundur”.
Besojmë se tërheqja përfundimtare,
vetëm në Besim, e mbrojti Uratë Damianin dhe e ndihmoi të përjetonte në kulme
vetëm për të zgjedhurit, të mirat e njërës prej lutjeve më të fuqishme të Ortodoksisë:
“Se e di që i pafuqishëm jam, po s’më
forcove; i verbër, po s’më ndriçove; i lidhur, po s’më zgjidhe; frikacak, po
s’më bëre guximtar; i humbur, po s’më sprovove; skllav, po s’më ribleve me
fuqinë Tënde të pasur e të Perëndishme dhe me dhuratën e Kryqit Tënd të
Shënjtë, të cilit i përulem dhe e madhëroj, tani e përherë e në jetë të jetëve,
amin.”
Duke gjykuar nga jeta dhe veprimtaria e
vyer, fjalëpak e punëshumë, siç ka mbetur në kujtesën e besimtarëve dhe
pasardhësve të tyre, mund të thuhet se Uratë Damiani i Shqipërisë ka përdorur
më tepër fjalët e Lutjeve, Ungjillit dhe Liturgjisë së Shënjtë, sesa fjalët e
përditshme. Pikërisht Fjalët e Bekuara i kanë dhënë fuqi, kur humbte shpresat,
dritë kur e sulmonte errësira, paqe kur i dyndeshin tallazet, durim ndaj të
padurueshmeve, një vdekje të denjë dhe një kujtim frymëzues për brezat e
tanishëm e të mëvonshëm.
[1] Arkivi Shtetëror i Federatës Ruse, Госуд (ГАРФ), fondi
6991, fashikulli 7, faqet 64, 66, 141.
Bibliografi e zgjedhur dhe disa shënime
1. Filocalia (sau
„Filocalia, sau culegere din scrierile Sfinților Părinți care ne arată cum se
poate omul curăți, lumina și desăvârși"), 12 vëllime, 1947-1991
2. Siluan Athonitul, Între iadul deznădejdii și iadul smereniei (Mes ferrit të dëshpërimit dhe ferrit të
përunjësisë) Bukuresht, Sh. B. Deisis, 2001
3. Llukani, Andrea (2009). Enciklopedia e Krishterë (PDF).
Tiranë, f. 68–70.
4. Шкаровский, Михаил Витальевич,
Албанская Православная Церковь в годы II Мировой войны (in Russian),
Bogoslov.ru, - lexuar më 8 gusht 2023
5. The
Shining Beacon of Socialism in Europe [The losses of the second largest
religious community in Albania, in other words the Orthodox community, turned
out to be even more harmful. The majority of churches were destroyed or closed.
The main Orthodox Cathedral in Tirana was destroyed, and a hotel was built in
its place. The last head of the Orthodox Church, Archbishop Damian Kokoneshi,
died in prison* in November 1973.
F. 133] * Një pasakt/si lidhur me vdekjen e Damianit të Shqipërisë: Ai ndërroi
jetë në Pogradec, ndërsa vdekja u njeftua gjërësisht disa muaj më vonë. – Sh.
Imi, K. Kyçyku. Të dh/na nga website-i i KOASH: “Më
4 prill 1967 u dha sinjali për persekutim të plotë. Me një dekret të publikuar
më 22 nëntor 1967 Shqipëria u shpall zyrtarisht shteti i parë dhe i vetëm
ateist në botë dhe në histori, në të cilin u ndalua me Kushtetutë çdo shprehje
fetare. Qindra kisha u rrafshuan, të tjera u kthyen në fabrika, magazina,
stalla, kinema, klube. Pothuajse të gjithë manastiret u shkatërruan ose u
kthyen në kazerma ushtarake. Në atë kohë Kisha e Shqipërisë kishte përveç
Kryepiskopatës edhe tri episkopata, 19 zëvendësi arkieratike, 330 enori dhe 25
manastire. Klerikëve u hoqën rason, shumë prej tyre i burgosën ose i internuan
dhe disa i martirizuan. Midis tyre, ish-Kryepiskopi Visarion u burgos dhe Ndihmës-episkopi
i Apollonisë, Irineu (Banushi), u internua. Kryepiskop Damiani nuk u përndoq,
ai vdiq në shtëpi në Pogradec, më 18 tetor 1973. Në këtë persekutim të
përgjithshëm, të përndjekurit dhe përndjekësit i përkisnin të gjitha
komuniteteve etnike dhe fetare të Shqipërisë” – lexuar më 10 gusht 2023
Varianti i Kishës Ruse: Скончался 8
октября 1973 года[5], находясь под домашним арестом в своём доме в Подградце.
Православному миру о его смерти стало известно лишь в мае 1974 года.
* ttps://ru.wikipedia.org/wiki/Албанская_православная_церковь
– lexuar më 9 gusht 2023
6. Tona, Llazi (Mars 2009), Në labirinthet e monumenteve kulturore,
historike të përbotshme (PDF) (shqip), vëll. 3, Gazeta Mokra, f. 5
7. Cherhat,
Adrian, Patriarhul Justinian Marina, între
elogiu și denigrare, në https://web.archive.org/web/20070319193734/http://www.revistanoinu.com/Patriarhul-Justinian-Marina-intre-elogiu-si-denigrare.html -
lexuar më 7 gusht 2023
8. Hoxha, Enver (1984), Duke hedhur themelet e Shqipërisë së re,
"8 Nëntori", Tiranë, 1984, f. 273.