Mes
datave 6 dhe 9 korrik 2017, në qytetin Bistrița të Rumanisë u zhvillua Festivali Ndërkombëtar i
Poezisë dhe Muzikës së Dhomës (edicioni IX), që tashmë vlerësohet si njëri ndër
festivalet më të rëndësishëm të Evropës. Organizuar nga Qëndra për Kulturë
Bistrița-Năsăud, Shoqata e Koncerteve Bistrița, mbështetur nga Administrata e
Fondit Kulturor Kombëtar të Rumanisë, Instituti Kulturor Rumun, Flemish
Literature Fund, Qendra Evropiane Direct Bistriţa, Radio România Cultural etj,
me drejtor festivali dr. Gavril Ţărmure dhe përgjegjës shkrimtarët Dan Coman dhe
Marin Mălaicu-Hondrari, Festivali „Poezia
është në Bistrița” fton çdo vit përfaqësues të shquar të poezisë botërore në
gjuhë të ndryshme. Njëri ndër të ftuarit e këtij edicioni ishte poeti,
prozatori dhe botuesi Arian Leka, i cili pati lexime dhe takime letrare gjatë 4
ditëve të festivalit.
Në „Qendrën
Multikulturore Sinagoga Bistrita” lexuan krijimet e tyre, u paraqitën dhe ishin
të pranishëm poetja dhe aktorja e shquar rumune Ioana Crăciunescu, poetët Ion
Mureșan dhe Caius Dobrescu, prozatori Ioan Groșan, poetët Gökçenur Celebioğlu
(Turqi), Pablo Garcia Casado (Spanjë), Lies Van Gasse (Belgjikë), Alexandru
Vakulovski (Republika e Moldavisë), Denes Krusovszky (Hungari), si dhe disa nga
zërat më të fuqishëm të poezisë rumune bashkëkohore. Leximet publike u shoqëruan
me muzikë nga trupat e njohura „Trigon”, „Liviu Mărculescu Jazz Unit” dhe
„ArgEn Tango”, dhe me poezi të interpretuara nga aktorja Dorothea Petre.
Revistat Haemus dhe Poeteka në stendën e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, Bistrița, Rumani Centrul Multicultural Sinagoga Bistrița |
Veç leximeve dhe takimeve, shkrimtari Arian Leka mori pjesë në paraqitjen e vëllimit të tij antologjik në gjuhën rumune "Biblioteka lundruese" (Biblioteca plutitoare) botuar nga Editura Charmides. Nuk është libri i parë i Arian Lekës në rumanisht. Plot 10 vjet më parë, Librarium Haemus botonte në Bukuresht "Anija e Gjumit" (Nava Somnului) në përkthimin e Kopi Kyçykut.
Biblioteca plutitoare / Biblioteka lundruese - rumanisht |
I ftuar për të paraqitur Revistën Haemus, shkrimtari Ardian-Christian Kyçyku, - që është edhe përkthyesi i Bibliotekës lundruese në rumanisht, - u shpreh për shtypin: „Nuk ndodhemi para një poezie kryengritëse, apo gjoja-profetike që rropatet të ndreqë të shkuarën dhe të ardhmen duke dënuar apo përçmuar të tashmen, e as para ndonjë liste me pakënaqësi, ankesa, qarje, por para një dëshmie të patundshme se edhe në këtë epokë të pragmatizmit batërdisës mund të jetohet poetikisht, lart, në mënyrë klasike, në harmoni. Është një poezi që, pa bujë, nderon thellësisht vuajtjen, dhimbjen dhe mundimet e shpirtit njerëzor, por edhe shpirtin e botësi si krijim të Zotit, duke nxjerrë nga të gjitha dritë të kulluar arti. (...) Rrallëherë ndodh që e njëjta poezi, e lexuar pa zë dhe me zë, në publik, të ketë të njëjtin ndikim. Ky lloj poezie, - që shmang çdo element spektakli, - siç edhe u pa këto ditë, është në gjendje ta shndërrojë mbarë bashkësinë e larmishme dhe shumëgjuhëshe të dëgjuesve në një lexues të vetëm, dhe sallën e madhe – në një dhomëze të vetme, apo në një cep vetmitar leximi”.
Pamje nga qyteti Bistrița dhe zona turistike Colibița, ku u zhvillua një private reading i Festivalit. Photo: HaemusPress |