Coperta piesei, publicată de Editura Clubul Poeziei (Klubi i Poezisë) Tirana 2016 |
Shkrimtari rumun Stefan Xheorxhesku-Serxhent (1859-1922), luftëtar i vijës së parë në përpjekjet për Pavarësinë e Rumanisë, ka qënë mik i çiltër e i zjarrtë i kombit e i popullit tonë. Këto ndjenja të ngrohta ai i ka shprehur nëpërmjet veprës së tij letrare, në prozë e në poezi. Vend të dukshëm në këtë drejtim ze edhe drama me pesë akte në vargje “Shqiptarët”, e botuar në Bukuresht nga Instituti i Arteve Grafike të Rumanisë, më 1898 dhe e vënë në skenë, po aty, një vit më vonë.
Njohës i mirë i historisë dhe i traditës sonë, autori ka ditur të na japë me vërtetësi, me patos e me art, tablo të fuqishme e prekëse nga luftrat heroike e të njëpasnjëshme të bijve e bijave të popullit tonë në vitet e fundit të sundimit të Sulltan Mehmetit II (1784-1839).
Idetë se forca e gjallë, që do ta shpëtojë Shqipërinë, janë masat popullore, njerëzit e thjeshtë, madje edhe gratë si Dora, me aftësi komanduese dhe se Shqipëria rron e do të rrojë edhe pa Skenderbeun, se vepra e fryma e tij janë në zemrat e të gjithëve, nënvizohen qartë gjatë krejt zhvillimit të ngjarjeve të dramës. Kemi arsye të besojmë se emrin e protagonistes kryesore të dramës, Dora, autori ia ka marrë “hua” së shquarës sonë Dora d’Istria, aq e njohur dhe e vlerësuar në Rumani, por edhe në botë.
Autori di të bëjë një diferencim të thellë edhe në gji të shoqërisë osmane, duke dalluar qartë e prerë kastën e korruptuar të Sulltanit nga njerëzit e thjeshtë, që vuanin e shtypeshin njëlloj si popujt e tjerë të perandorisë. Krahas shqetësimit të Sulltanit, ngaqë “Shqipëria është kockë e fortë dhe e pakapërdishme”, zbërthehen artistikisht, në dritën e fakteve historike, dhelpëria e qëndrimi me dy faqe i Venetikut ndaj çështjes shqiptare.
Në atë përleshje të pabarabartë me armiq të hapur e të mbuluar, populli ynë ishte ngritur i tëri për të flijuar gjithçka në altarin e lirisë. Prej detit të urrejtjes popullore, si dallgë të fuqishme, ngrihen e vërsulen mbi pushtues e tradhtarë edhe vajzat e nënat shqiptare. Ato, jo vetëm lindin e rritin trima, por edhe luftojnë në krah të tyre, atje ku rreziku është më i madh. Pena e Xheorxhesku-Serxhent-it i ka qarë me lot këto krijesa titanike, që vetëm një truall i larë me lumenj gjaku mund t’u japë jetë. Me zemrën mal e shpirtin det, ato kacafyten me vdekjen për të shpëtuar jetën e fëmijëve, pra të ardhmen e kombit. Kështu i kanë mësuar atdheu e liria. Duke shpalosur një mozaik të tërë virtytesh, njëri më i çmuar e më i ndritshëm se tjetri, autori, si rrallëkush, argumenton artistikisht përse femra shqiptare brezpasbrezi i ka merituar plotësisht nderimin e mirënjohjen e popullit të vet e të njerëzve përparimtarë kudo në botë.
Drama që zhvillohet pjesërisht në Shqipëri e pjesërisht në Stamboll, fillon me një skenë me sfond malet tona. Aliu, jeniçer, ka rënë rob në duart e luftëtarëve shqiptarë dhe, në të njëjtën kohë, atij ia ka "robëruar" zemrën Dora, një vajzë trimëreshë shqiptare. Këtë të fshehtë ia zbulon me djallëzi Kosta, agjent i maskuar i Fanarit dhe i premton ta ndihmojë. Nga ana tjetër, në një ditë feste, kur luftëtarët do të zhvillojnë lojra trimërie, Kosta gjen rastin dhe i kërkon për vete Nemisës dorën e së bijës, Dorës. Nëna i thotë se Dorën do ta marrë ai që del fitues në betejë. Dora krenohet me qëndrimin e s’ëmës dhe shton se nuk do të mashtrohet kurrë nga fjalët e sheqerosura e lajkatare, duke aluduar qartë për Kostën.
Skena e katërt e aktit të parë çelet me lajmin që sjell luftëtari shqiptar, Marku, se hordhitë osmane po afrohen dhe kanë urdhër të kapin Dorën, komandanten e shquar, e t’ia çojnë Sulltanit në sarajet e Stambollit. Prijsja vihet në ballë të një grupi të madh luftëtarësh dhe i premton s’ëmës se do t’ia zbardhë faqen, si gjithmonë. “Shqiponja tek rreh flatrat e ngjitet gjer në re/, Nuk trembet nga hijenat, nga djaj e ujq përdhe” shprehet Dora. Në largim e sipër, ajo e pyet nënën në se kanë ndonjë shënjë dalluese dy vëllezërit që ia patën rrëmbyer nga gjiri osmanët kur vranë babanë e Dorës, që t’i njohë në i rëntë rasti t’i takojë. Dhe nëna ia tregon shënjat.
Në aktin e dytë, që zhvillohet në kryeqytetin e perandorisë, dy jeniçerë, Murati dhe Ibrahimi, sidoqë kanë kryer krime gjatë tërë jetës, ndjejnë një kafshim në ndërgjegje pikërisht tani që Nemisa, nëna e Dorës, është kapur tradhtisht nga njerëzit e Sulltanit dhe mbikëqyret në burg nga jeniceri Selim, i cili nuk e di se ka vëlla Aliun dhe të dy janë djem të Nemisës. Përveç faktit që, për një çast, mendja u shkon se mund të pësojnë edhe vetë të njëjtin fat në të ardhmen, kanë frikë se mos shqiptarët vrasin Aliun për hakmarrje ndaj vdekjes së mundshme të Nemisës. Shqetësimi i bën, më në fund, t’ia thonë Kostës, të cilin e njohin, të fshehtën mbi rrëmbimin, që në mituri, e dy djemve të Nemisës. Synimi është që Kosta të parandalojë vrasjen e Aliut. Murati shkon takohet me Kostën dhe, sa fillon t’ia rrëfejë ngjarjen, Kosta e ve në dijeni se ka vendosur, edhe ai, të vihet në shërbim të Sulltanit, mbasi shqiptarët nuk e kanë të gjatë. Ndërkohë që Murati e përgëzon për këtë vendim, Dora, që ua ka dëgjuar dialogun, qëllon Muratin për vdekje. Kostën, gjithashtu, e dënojnë me vdekje duke e hedhur nga maja e një shkëmbi. Një rastësi e shpëton Kostën, - mortja s’ha çdo gjë, - i cili kalon në kampin osman. Ndërkohë, Nemisa u bën ballë me heroizëm trysnive të Padishahut për t’i dhënë të bijën, Dorën. Selimi ka mendimin se Kosta duhet vrarë. Përderisa ka tradhtuar bashkatdhetarët e vet, ai mund t’i punojë të njëjtin rreng edhe Sulltanit. Por ndërhyn Aliu, që thotë se Kosta i ka shpëtuar jetën duke e lënë të lirë të ikte tinëz shqiptarëve. Gjithashtu Kosta u ka dhënë informacion të hollësishëm osmanëve nga duhet t’i qëllojnë forcat e Dorës për t’i asgjësuar me lehtësi.
Në skenën e katërt të aktit të katërt, Dorën me shokë e shohim në një betejë të re dhe njëherazi në pritje të ndihmave të premtuara me bujë nga Venetiku. Marku i thotë: “Ta dish që venecianët të besës nuk i ke, madje edhe kur bëjnë si djaj be e rrufe”. Ndërsa Dora: “E di Mark fare mirë, veç na e kanë nevojën, nga deti ne i mbrojmë, për ta jemi mburojë”. Pasi bindet që ndihmat nuk kanë për të ardhur, urdhëron gratë të hedhin gurë e trungje mbi kokat e armiqve që janë afruar së tepërmi, ndërsa burrat të bëjnë gati armët. Ndërkohë, Kosta, me një tabor osman, u merr krahët, vret pas shpine Markun dhe kapet Dora. Kjo i përgjigjet me përbuzje e neveri Selimit, kur ky i thotë se Sulltani ia ka premtuar për grua. Aliu e thërret Selimin në duel: kush del fitues, merr Dorën. Fillon dyluftimi. Dora ia sheh shënjën Selimit dhe u thotë të ndalen. Të dy shtangen nga zëri i saj bubullues e njëherazi i ngrohtë.
Në këto e sipër Sulltani shkarkon Vezirin e Madh për dështimet në luftrat me shqiptarët dhe, në vend të tij, emëron Kostën.
Në burg, pranë Nemisës e Dorës, ka rënë tani edhe Selimi, i cili, me të marrë vesh të vërtetën, ka hequr në çast dorë nga lufta kundër shqiptarëve. Aliu vjen të shpëtojë Selimin, por, në ngazëllimin që ka njohur nënën e motrën, ky nuk do që të largohet dhe i thotë Aliut, me të cilin pajtohet, të ikë me Dorën duke u uruar fatbardhësi. Por as Dora nuk pranon ta lerë të vëllanë fillikat në qelinë e errët. Ajo, pa e ditur që edhe Aliun e ka vëlla, i thotë se vetëm ai ka qënë i denjë për dashurinë e saj. Aliu largohet i pikëlluar dhe krenar për këtë heroinë që e shpërfill vdekjen. Ndërkohë Aliu mëson nga goja e jeniçerit Ibrahim të vërtetën, pra që është vëlla me Selimin dhe të dy vogëlushët Ibrahimi me Muratin ia patën rrëmbyer nga gjiri Nemisës. Ai shton se këtë ndodhi Murati ia pat treguar edhe Kostës. Shokët e Aliut e vrasin këtë, ndërsa Aliu vdes nga pikëllimi i madh që s’mund t’i shohë dot edhe një herë nënën, motrën e vëllanë, të cilët kanë vdekur tashmë heroikisht.
Vlerat artistike të dramës “Shqiptarët” janë të larta.
Katërmbëdhjetërrokshi, që, për nga shtrirja e ritmi, ruan strukturat themelore të shtatërrokshit të krijimtarisë popullore gojore rumune, i ka dhënë dorë autorit ta bëjë rrëfimin të plotë e tërheqës. Rima, kryesisht e puthur, i shkon për shtat natyrës së subjektit dhe stilit të dramaturgut. Është ruajtur harmonia që përfton njësimi i objektit të përshkruar (luftëtarët shqiptarë që lëvizin si anije mbi valë), me strukturën valëzuese (ngjitëse e zbritëse) të tri këmbëve jambike të bashkuara në vargje, duke i dhënë gjallëri të brendshme pejzazhit, në sfondin e të cilit zbërthehen situatat dramatike. Bie në sy, gjithashtu, begatia e figurave, përherë në funksion e në të mirë të kumtimit sa më qartë të idesë në momentin e dhënë.
Duke qënë se në qëndër të veprimit, autori ka vënë femrën shqiptare, si nënë të dhemshur, të ndershme e amvisë, si luftëtare dhe komandante trime e të zgjuar, kujdesin më të madh ia ka kushtuar zbërthimit psikologjik të kësaj figure. Me një vërtetësi e bukuri të rrallë, përshkruhen sidomos skenat e qëndresës së Nemisës e të Dorës në qeli. Vetë Sulltani, Mehmeti II, që ia ka ndjerë famën guximit e mençurisë së Dorës, i ndruhet ballafaqimit të hapur me armë në shesh të burrave, me forcat që ajo komandon. Por, edhe tani që e ka kapur Dorën me dredhi, detyrohet të pohojë se “kjo vajzë e re po na ve në lojë”. Ndërsa Nemisa, Vezirit të Madh, që mundohet t’i mbushë mendjen ta largojë të bijën nga rruga e luftës kundër otomanëve, i kthehet: “Më vrisni, më coptoni, në daçi, menjëherë, por trimes së nënokes, që luftë bën me nder, i them: më fort mpreh shpatën, qëlloji pa mëshirë, të zhduket fara e keqe-Sulltani egërsirë!”
Paskëtaj, Sulltan Mehmeti II, pikë e vrer, i zbrazet Vezirit: “Vërtet vdiq Skenderbeu, po pse kujtuam vallë, se fundi Shqipërisë i erdh; jo, mbeti gjallë!”
Drama “Shqiptarët” përbën edhe një homazh për luftrat e paprera të popullit tonë për çlirimin e vet kombëtar e shoqëror dhe ndihmesën e çmuar që ka dhënë për lirinë e pavarësinë e popujve të tjerë të Ballkanit.
Kopi Kyçyku
(Shqipëruesi / Traducătorul)