Sërish një beatifikim edhe për botën shqiptare


Akad. Kopi Kyçyku,
President i Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus,
Kavalier i Shën Silvestrit Papë


Në Muzeun Memoriali i Dhimbjes,
(Memorialul Durerii) Sighet, Rumani
Ftesa historike dhe pjesëmarrja e kreut të Kishës Ortodokse, Patriarkut Bartolomeu, në ceremoninë e fronëzimit në Vatikan të Papës Françesk I, nuk vonoi të pasohej nga një ngjarje tjetër, gjithaq e rëndësishme: nënshkrim i dekretit për beatifikimin Monsinjorit Vladimir Gjika, mistik i shquar, filozof i fesë, i martirizuar në burgjet komuniste të Rumanisë më 16 maj 1954.
Një ndër detyrat thelbësore, që i caktoi vetes qysh në ditën e themelimit të saj, Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus, me seli qendrore në Bukuresht, ishte dhe mbetet qëmtimi, hulumtimi, vlerësimi dhe popullarizimi i personaliteteve të shquara me prejardhje shqiptare, në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore.
Një nga këto figura është Monsinjori Vladimir Gjika, pinjoll i një familjeje famëmadhe, nga gjiri i së cilës kanë dalë personalitete të shquara, ndër të cilët sundimtari Grigor Gjika, diplomati dhe ish-kryeministri Ion Gjika (1816-1897), intelektualja e përmasave evropiane Elena Gjika (1828-1888), alias Dora D’Istria, princi Albert Gjika (1868-1925), drejtues i një kongresi mbarëshqiptar dhe nismëtar qysh më 1905 i një projekti për shqyrtimin e mundësive të shpalljes së pavarësisë së Shqipërinë, etj.
Pas një pune të gjatë këmbëngulëse dhe sistematike, doktori i shkencave Ardian-Christian Kyçyku përgatiti një numur të madh materialesh, një pjesë e të cilave nisi të botohej qysh nga janari i vitit 2007 në organe të ndryshme shtypi në Rumani, Shqipëri , Kosovë e Mërgatë, dhe u paraqit në simpoziume shkencore në Evropën Perëndimore, si, fjala vjen, në Tubimin Ndërkombëtar „Evropa. Ëndrra dhe trauma”, mbajtur në Kështjellën Seggau, pranë qytetit Leibniz (Austri), më 24-26 maj 2007, me pjesëmarrjen e një numuri të madh personalitetesh të shkencës e të politikës botërore, mes të cilëve Presidenti i atëhershëm i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Poettering, Komisarja Evropiane Benita Ferrero-Waldner, Peshkopët Josef Homeyer dhe Egon Kapellari, mendimtari Jeremy Rifkin, tre nga rektorët e Universitetit të Graz-it etj.