”Gabimet në politikë janë krime...” (Intervistë e Akademikut Kopi Kyçyku dhënë Gazetës Mokra)

Kam përballë akademikun pogradecar, mikun e dijes, Kavalierin e Urdhërit të Shën Silvestrit, profesor doktor Kopi Kyçykun, një mesoburrë, me ballë të gjerë sokratik, me vështrim serioz, me pamje tipike intelektuale. Këtë e thonë edhe sytë e tij, lëvizjet energjike të duarve dhe mënyra e prerë e të folurit, përqendrimi i krejt qenies së tij.

Akademiku Kopi Kyçyku, si enciklopedist që kërkon të dijë gjjithçka, është kthyer në krenari, jo vetëm për vete, por krenari edhe për të tjerët. Me një veprimtari të gjerë dhe të thellë shkencore, ai nuk jeton vetëm për vete, por për njerëzimin. Akademiku Kopi Kyçyku është futur thellë në labirintin e dijeve nëpër viset e Ballkanit, Evropës dhe botës. Kur e pyetën Aleksandrin e Madh të Maqedonisë: “Përse depërtove aq larg, deri në Indi?”, ai u përgjigj: “Na thonë se qenkemi indoevropianë. Deri sa është kështu, atëhere kufijtë e Evropës mbarojnë në Indi”.
Edhe miku i dijes, akademiku Kopi Kyçyku, mbasi mbaroi një varg studimesh shkencore në shumë vende të Evropës, si: Rumani, Greqi, Kroaci, Bullgari, Maqedoni, Zvicër, Francë, Gjermani etj, shkoi për të hulumtuar në Turqi, në Indi e gjetkë.
Mendja e ndritur, sjellja tepër njerëzore, vlerat morale dhe intelekti, e ngritën në një pjedestal të lartë. Ai i ngjiti shkallët e lavdisë duke punuar si gjeolog, publicist, pushtetar vendor, deputet, shkrimtar, përkthyes, historian, mësimdhënës etj; kaloi gradat shkencore, që nga kandidat i shkencave, doktor, profesor dhe akademik.
Duke u nisur nga sa më sipër, mendova t’i marr një intervistë akademikut të mirënjohur, profesor doktor Kopi Kyçykut.

Gazetari Llazi Tona: Vendlindja juaj është Pogradeci, ku ju përfunduat shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare. Cilat janë mbresat tuaja për to dhe për mësimdhënësit përkatës?

Akad. Kopi Kyçyku: Edukatorë që fati e solli t’i njoh qysh në moshën më të brishtë, si Viktori Pihoni, e më pas Tushi Pasko, Dhimitër Tola, Spiro Angjele e të tjerë, ndikuan në formimin dhe ngulitjen tek unë, jo vetëm të njohurive të qëndrueshme në lëndë të ndryshme, por edhe të dashurisë e të krenarisë për vendlindjen e për vlerat e mirënjohura të kombit tonë.