Bukuresht, foto Iulia Enkelana |
Lëvizjet
progresiste që zunë fill në vitin 2011 në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e
Mesme tërhoqën vëmendjen e njerëzimit mbi Mesdheun, duke “rizbuluar” këtë djep
të lashtë të qytetërimit botëror. Zgjerimi i vazhdueshëm i hapësirës
demokratike është duke përftuar edhe një lloj të ri marrëdhëniesh ndërmjet
shteteve, mbështetur në dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, duke nxjerrë në
plan të parë diplomacinë kulturore dhe dialogun ndërkulturor e duke hequr dorë
nga marrëdhëniet e vjetra të ndërtuara mbi forcën ushtarake dhe trysninë
ekonomike. Lloji i ri i marrëdhënieve, që ofron një shans për paqen në botën e
globalizuar, mund të gjejë një burim frymëzimi në botën e hershme të Levantit,
- me “Levant” nënkuptohen
territoret në Mesdheun Lindor, duke përfshirë edhe Sirinë, Libanin, Izraelin,Palestinën,
Jordaninë, Irakun etj.
Potenciali
i Levantit është i madh, jo vetëm ngaqë prej mbi një mijë vjetësh ka qënë djepi
i diplomacisë kulturore, por edhe sepse perandoritë romake, bizantine dhe
otomane kanë krijuar aty, secila në mënyrën e vet, një hapësirë të gjerë
shkëmbimesh, - mallrash dhe idesh, - me dialog kulturor. Ballkani dhe Evropa
Juglindore, për një kohë të gjatë kanë qënë në kontakt me Afrikën e Veriut dhe
me Lindjen e Afërme dhe banorët e kësaj zone kanë përvojë të pasur përsa i
përket dialogut ndërkulturor.